Zgjedhjet, më së largu në vjeshtë

11 gusht 2020 | 11:24

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se qeveria aktuale nuk do të jetë edhe shumë gjatë në pushtet. Ai ka deklaruar se zgjedhjet e reja do të mund të shkaktohen më së largu deri në vjeshtë të këtij viti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se vetëm qeveria e re do të mund ta vazhdojë procesin e dialogut Kosovë – Serbi. “Kjo qeveri do të kryejë rolin e ‘stafet mbajtjes’ deri në zgjedhjet e lira që do të shkaktohen më së largu në vjeshtë, kur duhet të krijohet një qeveri legjitime dhe më mbështetje serioze të brendshme dhe ndërkombëtare. Qeveria e re do të angazhohet për zgjidhje të marrëveshjes me Serbinë brenda kufijve ekzistues duke gjetur kualitetin e ri mes shumicës dhe pakicës në Kosovë bazuar në të drejtat universale”, ka thënë Beqaj.

Ai ka kritikuar punën e deritashme të qeverisë Hoti, sidomos në menaxhimin e pandemisë Covid-19. Sipas Beqajt, kjo qeveri ka qenë në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës. “Motivi i kësaj qeverie ka qenë dhe është në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, kështu që më mirë është koalicioni të prishet për shkak të kundërshtimeve të interesave të partnerëve sesa të rrëzohet nga pakënaqësia popullore e cila ka arritur masën kritike. Qytetarët janë para katarsës së provokuar nga pushtetbërja që po e rrezikon seriozisht të sotmen dhe të ardhmen”, është shprehur Beqaj.

Në këtë intervistë Beqaj ka komentuar edhe mocionin e LV-së ndaj qeverisë. Sipas tij, ky mocion politikisht mund të arsyetohet. Beqaj ka vlerësuar se PDK-ja do të duhej ta përkrahte mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. “Nëse PDK-ja nuk e sheh ‘malin prej drumit’ nuk do ta mbështetë mocionin, por nëse lidershipi mendon për vizionin e partisë, atëherë ky do të ishte investim më serioz për të ardhmen e PDK-së, me kusht që në ndërkohë të kryhet një reformë e brendshme kadrovike kualitative duke ruajtur kontinuitetin e themeluesve por në duhmën e kërkesave të reja të rrethanave politike”, ka thënë Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, Lëvizja Vetëvendosje i ka nisur procedurat për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Si e keni parë këtë iniciativë të partisë më të madhe opozitare?
Beqaj: Ndoshta mund të justifikohet politikisht mocioni i LV-së për mosbesimin e qeverisë Hoti, ngase mocioni i LDK-së ishte ndërmarrë në kohën kur menaxhimi i pandemisë nga qeveria Kurti ishte shembull jo vetëm për regjionin, ndërsa menaxhimi i pandemisë nga ky koalicion është shembull për dështimin e menaxhimit të pandemisë ngaqë vetëm për dy ditë kemi mbi 30 viktima, ndërsa për dy muaj rreth 200. Ndërsa për vendimet hakmarrëse për shkarkime në borde, për vonesat për rimëkëmbje të ekonomisë dhe për dialogun konspirativ jashtë kontekstit të rrethanave reale, të mos flasim.

 “Epoka e re”: Partia tjetër opozitare, PDK-ja, ka kërkuar disa sqarime prej LV-së për ta përkrahur këtë mocion. Sa besoni në suksesin e këtij mocioni?
Beqaj: Nëse PDK-ja nuk e sheh “malin prej drumit” nuk do ta mbështetë mocionin, por nëse lidershipi mendon për vizionin e partisë, atëherë ky do të ishte investim më serioz për të ardhmen e PDK-së, me kusht që në ndërkohë të kryhet një reformë e brendshme kadrovike kualitative, duke ruajtur kontinuitetin e themeluesve, por në duhmën e kërkesave të reja të rrethanave politike. Pra, PDK-ja s’ka nevojë të kërkojë sqarime nga LV-ja, por duhet t’ia sqaroj vetes se a dëshiron të jetë peng e së kaluarës apo sajuese e vizionit të së ardhmes.

“Epoka e re”: Në anën tjetër, as partnerët e koalicionit nuk janë në harmoninë më të mirë. LDK-ja dhe AAK-ja për shumë çështje nuk po pajtohen. Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë Hoti?
Beqaj: Ne që e kemi përcjellë motivin e këtij koalicioni e kemi ditur se ky ishte koalicion i një skenari të administratës amerikane të LDK-së i përbërë nga partnerët e interesave materiale. Realisht kjo qeveri do ta justifikonte veten nëse qysh nesër dorëhiqet, aq më parë kur skenari amerikan për dialogun me Serbinë, pas “pushimit” të kryenegociatorit (HTh), vetëm do ta “mbështesë” (Palmer) rolin “udhëheqës” (Borell) të BE-së, pavarësisht se unë mendoj se edhe kjo qasje është e gabueshme. Por, motivi i kësaj qeverie ka qenë dhe është në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, kështu që më mirë është koalicioni të prishet për shkak të kundërshtimeve të interesave të partnerëve sesa të rrëzohet nga pakënaqësia popullore e cila ka arritur masën kritike. Qytetarët janë para katarsës së provokuar nga pushtetbërja që po e rrezikon seriozisht të sotmen dhe të ardhmen.

“Epoka e re”: Duke parë kundërthëniet mes partnerëve të koalicionit dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova, sa mund ta vazhdojë mandatin kjo qeveri, apo pritni zgjerim të koalicionit qeverisës?
Beqaj: Sa më shumë ta vazhdojë punën kjo qeveri aq më shumë do ta ngrehë pezmin e pakënaqësisë dhe revoltës qytetare e cila vetëm sa do të ashpërsohet nëse zgjerohet koalicioni qeverisës. Ana e mirë e kësaj zgjidhje të keqe do të ishte zhveshja e motiveve të partnerëve përfitues të cilët në zgjedhjet e radhës do të ndëshkohen nga votuesit.

 “Epoka e re”: Qeveria e ka rifilluar dialogun me Serbinë. Si prisni të vazhdojë ky dialog dhe cila duhet të jetë qasja e Kosovës në këtë proces?
Beqaj: Konteksti i rrethanave është shumë i disfavorshem. Kjo qeveri do ta kryejë rolin e “stafet mbajtjes” deri në zgjedhjet e lira që do të shkaktohen më së largu në vjeshtë, kur duhet të krijohet një qeveri legjitime dhe me mbështetje serioze të brendshme dhe ndërkombëtare. Qeveria e re do të angazhohet për zgjidhje të marrëveshjes me Serbinë brenda kufijve ekzistues duke gjetur kualitetin e ri mes shumicës dhe pakicës në Kosovë bazuar në të drejtat universale.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe kryetari i Autoritetit Kosovar…