Zgjedhjet në Serbi, Shqiprim Arifi kritikon Qeverinë e Kosovës

03 prill 2022 | 13:17

Ish-kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka folur para mediave pas votimit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po mbahen sot në Serbi.

Në deklaratën e tij para mediave, Arifi ka thënë se qytetarët e Preshevës edhe një herë po e dëshmojnë përkushtimin e tyre për të ushtruar të drejtën e votës.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se shqiptarët po i dërgojnë mesazh Beogradit, që sipas tij i ka mohuar të drejtat e tyre tash e sa vjet.

Ndër të tjerash, Arifi ka folur edhe për ndarjen e partive shqiptare në dy lista.

“Ne e dimë se kemi dy lista për herë të parë në Luginën e Preshevës, pork jo tregon edhe një herë diversitetin mes nesh”, ka thënë Arifi.

Më tutje, ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës për mos mobilizimin e shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi, që t’i organizojnë transportin ashtu siç kanë bërë autoritetet serbe për qytetarët serbë nga Kosova.

“Bazuar në numrat e kaluar, 6 deri në 10 mijë qytetarë sot nuk kanë mundësi të votojnë. Ne po i shohim mobilizimin e serbëve nga Kosova që t’i sjellin për të votuar në Bujanoc. Por, ne e shohim edhe një neglizhencë të qeverive kosovare të cilët po na lënë në mëshirën dhe mundësitë tona”, ka thënë Arifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari presidencial në Ukrainë, Segey Nikiforov, tha për BBC-në se…