Zgjedhjet si zgjidhje

03 gusht 2019 | 13:16

Situata politike e krijuar në Kosovë, ka krijuar hapsirë që zgjedhjet të jenë zgjidhje e vetme për të ecuar përpara proceset për vendin. Me dorëheqjen e Kryeministrit, ajo që duhet të bëhet është të respektohen afatet kushtetuese për shkuarjen në zgjedhje të lira.

Partitë politike nuk mjafton vetëm të deklarojnë gatishmërinë për zgjedhje, por duhet të ndërmirren hapa konkret. Vendi ka nevojë që të ecë përpara dhe çdo zvarritje apo vonesë shkakton ngecje për zhvillim. Shto kësaj edhe zhvillimet ndërkombëtare, ku vendet e rajonit (shembull Serbia), po ecin me hapa shumë të shpejtë.

Përveç kësaj, ajo që është më me rëndësi, janë programet e partive politike dhe vizioni i tyre për të ardhmen e vendit. Fokusi kryesor i partive politike, në rast se duan që zgjedhjet të kenë efektin e tyre, është që të ofrojnë programe politike të mirëfillta, të cilat do të garantojnë mirëqenie për qytetarët e vendit. Prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme të Kosovës, duhet të jenë ato të cilat e përmirsojnë jetën e qytetarëve dhe mbi të gjitha ato të cilat sigurojnë shpresë tek qytetarët, për të jetuar dhe punuar në vend.

Qeveria e ardhshme përmes politikave të saj pritet të fokusohet në rritjen e zhvillimit ekonomik, përmirësimin e sistemit arsimor, shëndetësor, në sundimin e ligjit, në një performancë më të mirë në politikën e jashtme, etj.

Qytetarët presin të krijohen strategji të cilat do të nxisnin rritjen ekonomike, dhe kjo më shpejt do të arrihej nëse fokusohemi në rritjen e prodhimit, duke u specializuar në prodhimin e atyre produkteve, me të cilat kemi përparësi të qëndrueshme në treg. Rrjedhimisht, me rritjen ekonomike gjenerohen vende të reja të punës, kur dihet që shkalla e papunësisë në vend është në nivel shumë të lartë. Përveç kësaj, pritet që të krijohet klimë e përshtatshme për investime të huaja.

Sistemi arsimor në anën tjetër duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore. Arsimi kualitativ siguron të ardhme prosperuese. Investimi në arsim krijon vende të punës, por ajo që kemi nevojë si vend është të hulumtojmë atë që e kërkon tregu i punës më shumë, dhe të orientojmë të rinjtë në ato drejtime. Zgjidhje për këtë do të ofronte mbështetja sa më e madhe e shkollave profesionale, për të reduktuar prodhimin e vazhdueshëm të diplomave në fusha ku kemi suficit, për të cilat nesër nuk do të ketë nevojë.

Një sistem shëndetësor funksional është e drejtë elementare e njeriut, prandaj kërkon vëmendje dhe kujdesë të jashtëzakonshëm, kur dihet që kemi nevojë për reforma të thella në shëndetësi. Duhet të krijojmë kushte, që qytetarët të mund të kryjnë shumicën e shërbimeve mjekësore në vend.
Sundimi i ligjit përfshirë këtu luftimin e korrupsionit (edhe në nivelet më të larta të pushtetit), depolitizimi i institucioneve publike, puna e vazhdueshme në drejtim të pavarësisë së sistemit gjyqësorë të gjitha këto janë segmente të cilat kërkojnë seriozitet dhe vullnet për t’u arritur.

Përveç zbatimit të politikave brenda shtetit, në konsolidimin e shtetësisë patjetër që politika e jashtme e një shteti ka një rol kyç. Përfaqësimi i shtetit bëhet nga politika e jashtme. Viteve të fundit, është vërejtur pasiviteti i diplomacisë kosovare në hartimin e strategjive gjithëpërfshirëse sidomos në sigurimin e njohjeve të reja, kur dihet që vendi po përballet vazhdimisht me fushatë të egër nga Serbia për tërheqjen e njohjeve.

Pritet që Kosova të vëjë në funksion të gjitha kapacitetet e saj për konsolidimin e shtetësisë në aspektin ndërkombëtar. Një element tjetër mjaft i fuqishëm, dhe me ndikim të jashtëzakonshëm është diplomacia publike. Nëse fuqia politike nuk mund të arrijë të sigurojë efekt atëherë kemi një rini e cila përmes artit, sportit etj. do të mund të arrinin të përçonin zërin e Kosovës në opinionin ndërkombëtar.

Pra, të gjitha partitë politike që mendojnë të kandidojnë për zgjedhje, pritet të fokusohen në ofrimin e programeve të mirëfillta politike, sepse vetëm duke e rregulluar shtetin përbrenda mund të mirremi seriozisht si shtet në arenën ndërkombëtare. Kjo tregon qartë, që është koha e fundit që partitë politike në vend të tregojnë seriozitet të lartë, në të kundërtën rrezikojmë të mbetemi edhe për shumë kohë- vendi më i izoluar.

Rreze Xhemajli
(Master i Shkencës Politike)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të odave dhe asociacioneve ekonomike, Berat Rukiqi nga Oda…