Zgjerimi i BE-së për Ballkanin Perëndimor: Koha për progres është tani!

04 mars 2024 | 13:54

Nën moderimin e Gent Carrabregut, profesor asistent në “RIT Kosova”, konferenca “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: diplomacia parlamentare për sigurinë rajonale dhe integrimin euro-atlantik” e ka mirëpritur panelin e parë diskutues, në përbërje Lukas Mandi, deputet i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Fitore Pacolli Dalipi, deputete dhe anëtare e Komisionit për Punë të jashtme, Ditmir Bushati, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Alejandro Esteso Perez, analist politik i specializuar për Ballkanin Perëndimor/Zgjerimi i BE-së, si dhe Jeton Zulfaj, këshilltar politik i Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Diskutimi është përqendruar në arsyen strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian për të inkorporuar vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për të shqyrtuar se si përfshirja përputhet me interesat më të gjera strategjike të BE-së, duke përfshirë stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike.

Fillimisht, panelistët kanë falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për qëndrimin dhe dëgjimin aktiv e tyre në Konferencë, ngase, siç thanë ata, një veprim i tillë nuk ndodhë të shihet shpesh dhe se kjo është një sjellje dhe praktikë e mirë që duhet shërbejë si shembull edhe për konferencat e tjera.

Më tutje, panelistët kanë ofruar këndvështrimet tyre, të cilat në aspektin e përgjithshëm mirëpritën kandidimin e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përderisa potencuan të mirat dhe benifitet që i sjell ky rrjetëzim, zgjerim për vendet e rajonit.

Nga ta është thënë se Kosova ka shënuar progres në sundim të ligjit, në fuqizimin e institucioneve në shtetin e së drejtës dhe reforma të tjera konform agjendës evropiane.

“U potencua po ashtu se rrugëtimi për në BE shihet me shumë seriozitet, por që nga ana tjetër Kosova po vazhdon të penalizohet për shkak të Serbisë, e cila përveç që nuk po shënon progres kah e ardhmja, ajo po pengon edhe shtetet e tjera në procesin e zhvillimit. Andaj u potencua nevoja për trajtim të barabartë, bazuar në meritokraci. Pastaj, u vu në pah se pikërisht lufta në Ukrainë e ka bërë të qartë se kur kemi të bëjmë me sfida, BE-ja mund të ndikojë pozitivisht në ndryshim, sikurse i vendosi sanksione Rusisë pas aneksimit të Ukrainës. Duke marrë parasysh këtë situatë, u tha se BE-ja duhet të tregohet më e qartë dhe vendimmarrëse kur shtrohet çështja Kosovë-Serbi, sepse, siç u potencua, duket sikur është krijuar një mit që disa vende me udhëheqës autokratë sikurse Serbia, po trajtohet e barabartë madje edhe favorizohen kundrejt Kosovës, me liderë me qëllime progresive”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, qasje më optimiste ka treguar Mandi nga Parlamenti Evropian, i cili ka potencuar se vetë emërtimi i konferencës është pozitiv dhe duhet të shihet nga perspektiva pozitive e ndërtimit të marrëdhënieve, urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e sfidave dhe të shkuarës.

Ai ka rekomanduar që Kosova t’i rregullojë punët e brendshme, sikurse hapje të vendeve të reja të punës, duke krijuar kështu një atmosferë të shtetit të së drejtës, ndërsa kritikoi qasjen e Serbisë, duke thënë se me qasjen e saj ajo po e dëmton popullin e saj dhe se e ardhmja i përket bashkëpunimit e unitetit e jo përçarjes e ndasisë.

Punimet  kanë vazhduar me pyetje nga ana e audiencës lidhur me konkretizimin e strategjisë diplomatike që do trasonte dhe ndihmonte rrugën e Kosovës për në BE, si dhe si të veprohet me vendet të cilat nuk janë të interesuara për zgjerim.

Deputeti Mandi, ka thënë se njerëzit në Kosovë duhet të kenë besim në vete dhe në ndërtimin e aleancave me fqinjët, e sidomos të dëshmojnë se janë partner i besueshëm dhe t’i bëjnë ballë presionit që u bëhet, ngase, siç ka thënë ai, me gjithë presionin vetë qytetarët janë përgjegjës për shtetin e tyre.

Pas raundit të pyetjeve nga ana e audiencës, sesioni i parë përmbylli punimet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në dritën e konfliktit në Gazë, Adrian Shtuni, ekspert i…