Zhbllokohen marrëveshjet ndërkombëtare, AAK-ja ndryshon qëndrim

23 nëntor 2023 | 13:33

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zhbllokuar procesi i votimit të marrëveshjet ndërkombëtare, të cilin ishin bllokuar prej muajsh.

Me votat e deputetëve të LV-së, LDK-së dhe AAK-së Kuvendi ka miratuar disa marrëveshje ndërkombëtarët.

Miratimi i këtyre marrëveshjeve është bërë i mundur pasi AAK-ja ka ndryshuar qëndrim.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka treguar se pse deri me tani kjo parti ka qenë kundër votimit të këtyre marrëveshje.

“Tani jemi në vitin e tretë kur kjo qeveri ka arritur që në masën më rekorde të mos shpenzojë buxhetin e vet. Për katër muaj rresht kemi qenë në cak të kritikës si opozitë për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo që dua t’iu them qytetarëve është se AAK përgjatë dy vite e gjysmë i ka votuar 830 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare. Qëndrimi ynë politik për të mos i votuar është për t’iu treguar sa e rëndësishme është opozita dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar dhe ndërtimi i konsensusit për çështje të brendshme dhe jo për të dëmtuar të mirën publike. Andaj, j thërras që t’i keni parasysh agjendat që kanë karaktere kombëtare, që kanë karaktere të së mirës publike – mos mbani inat!”, ka thënë Tahiri, para fillimit të procesit të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, PDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në votimin e këtyre marrëveshjeve.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij s’do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare meqë vendi gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së.

“Si grup parlamentar i PDK në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijnë për diskutim e votim marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Si grup i PDK-së nuk do t’i votojmë sepse vendi është nën masa dhe sanksione pikërisht nga BE-ja. Pra, paratë nga marrëveshjet e votuara sot s’arrijnë me u disbursuar. Nga ana tjetër, shtoje faktin këtu të paaftësisë në qeverisje, të parave që janë bartur nga projektet kapitale prej vitit 2023 në vitin 2024. Pra, ne të votojmë ta rrisim borxhin publik, t’i shtijmë në borxh gjeneratat e reja dhe me një qeveri kaq të paaftë është e papranueshme”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), në bashkëpunim me Drejtorinë…