Zhegrova tregon se kujt ia dedikon golin në debutim

24 mars 2018 | 22:15

Entuziazmi i fitores me Madagaskarin përcillet edhe nga fjalët e protagonistëve në fushën e blertë.

Nga “ylli” i mbrëmjes, Edon Zhegrova, te Ujkani, Shala dhe Kryeziu. Ja si u shprehen futbollistët pas këtij suksesi, që rrit optimizmin te “dardanët”.

“Me të vërtetë ishte ditë e veçantë, sidomos për faktin që shënova gol. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, të gjithë ishin fantastikë dhe dhanë maksimumin. Jam befasuar që isha titullar, kam menduar për këtë ndeshje dhe jam shumë i lumtur për fitoren. I përshëndes të gjithë tifozët. Dedikimi është për shtetin e Kosovës”, është shprehur Zhegrova, raporton Supersport.

Kurse portieri Samir Ujkani ka thënë se kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme.

“Fitore me shumë rëndësi. Nuk e kemi pasur një javë të lehtë me kushtet dhe udhëtimet. Ekipi ka reaguar në mënyrë profesionale. Grupi duhet të rritet dhe jam shumë i kënaqur me golin e Edon Zhegrovës. Trajneri jep udhëzimet e veta në detaje. Ndodhin situatat e vështira, sikurse ishte penalltia, që fatmirësisht nuk u shndërrua në gol. Kemi reaguar mirë edhe pse fusha ishte e keqe”, ka thënë ai.

Kurse mesfushori Herolind Shala pas takimit ka thënë se ishte një fitore e merituar e Kosovës, por që duhet të punohet më tepër.

“Është kënaqësi e madhe, kemi luajtur mirë dhe e merituam fitoren. Kemi bërë disa gabime, çka tregon se duhet të përmirësohemi. Ka ndryshime, ekipi është i mirë po kemi nevojë të punojmë më shumë”, ka thënë Shala.

Hekuran Kryeziu në anën tjetër i sheh si shumë të rëndësishme këto miqësore për Kosovën

“Ndeshjet miqësore si këto që i quajmë të vogla janë shumë të rëndësishme. Kemi pasur një javë të vështirë. Jemi të gëzuar me fitoren dhe me lojën pozitive. Duhet të përmirësohemi dhe tani presim ndeshjen e radhës. Kemi pasur momente jo të mira, që tregon se kemi ende shumë punë për të bërë. Nuk kemi shumë kohë deri të martën, duam të ftojmë edhe me Burkina Fasos”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar fitore minimale 1:0 por shumë…