Zhgënjimi i rinisë

27 janar 2019 | 14:30

Prof. Lisen Bashkurti

 -Kombi pa rini si familja pa fëmijë

Prej 45 vjetësh punoj me rininë. Puna me rininë është sfidë e madhe. Gjithnjë rinia tenton të jetë një hap përpara brezave të tjerë, pavarësisht nëse është e përgatitur dhe e qartë për këtë.

Nga vet mosha, rinia nuk preferon të përsiatet për të kaluarën, e cila për të nuk është objekt nostalgjie. Nga vet mosha, rinia nuk e përjeton me shumë ngulmim të sotmen, pasi e konsideron shumë kalimtare. Rinia mban gjithë shqisat dhe mendjen tek e ardhmja.

Rinia mendon dhe ëndërron për një të ardhme jo shumë afatgjate. Vizioni rinor për të ardhmen është dëshira e së nesërmes. Kjo, sepse në boten rinore, midis ideve, nevojave dhe dëshirave, këto të fundit janë dominuese.

Bazuar në këto tipare rinore kam vëzhguar me kujdes përmes një metode të thjeshtë empirike se si ndjehet rinia shqiptare studentore sot në Shqipëri dhe Kosovë.

Vëzhgimi me rezulton se ka rritje të zhgënjimit të rinisë lidhur me perspektiven zhvillimore të Shqipërisë dhe Kosovës. Zhgënjimi ka të bëjë me tensionet e tejzgjatura politike, varfërinë e pandryshueshme ekonomike, arsimimin pa destinacion në të ardhmen, jetën e vakët kulturore e shpirtërore.

Më shumë se gjysma e studentëve të pyetur nga unë me rezulton, se do largoheshin nga vendi pa qenë fare të qartë për të ardhmen jashtë, mjafton të lënë pas mërzitjen që i shkaktojnë situatat me kriza ciklike në Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo situatë rinore duket se nuk është sa dhe si duhet në agjendat e politikave tona. Shtetet, qeveritë tona, por edhe akterët joshtetërorë duket se kanë çfarëdo lloj agjendash por agjendën rinore e kane vetëm në retorik.

Nëse akterët shtetërorë dhe joshtetërorë nuk do ta prioritizojnë seriozisht agjendën rinore me gjithë përmasat dhe dinamiken e saj shumë shpejt familjet shqiptare do ngelen pa fëmijë dhe kombi shqiptar do të ngelet pa rini. Do hynim në një fazë plakje jonatyrore siç po ndodh te shumë kombe të tjera, por në një fazë plakje të imponuar nga dështimet e politikave tona.

Apeloj tek të gjithë akterët shtetërorë dhe joshtetërorë në Shqipëri dhe Kosovë t’i kthejnë qysh sot sytë te rinia. Nesër do të jetë vonë…shumë vonë. Pa rininë, kombi shqiptar do të humbiste një prej vlerave më të vyera që e ka mbajtur gjallë, e ka fuqizuar dhe e ka dalluar midis popujve e kombeve të tjera në Evropë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit…