Zjarri ka filluar të dalë jashtë kontrollit në zonën e natyrës ‘Oshlaku’

02 gusht 2021 | 14:44

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka njoftuar se më 1 gusht është paraqitur zjarri në zonën strikte të natyrës “Oshlaku”, i cili ka rrezikuar djegien e pyjeve të pishave endemorelikte – rrobullit (Pinus heldreichii).

Gjatë gjithë ditës së diel, deri në orët e vona të mbrëmjes, ekipi i DAPK “Sharri” së bashku me zjarrfikësit kanë qenë të angazhuar në lokalizmin e zjarrit.

“Duke qenë se kanë mbetur trungje të trasha akoma pa u fikur, ‘beteja’ për shuarjen e zjarrit ka vazhduar edhe sot. Fatkeqësisht, për shkak të erarëve të forta, zjarri ka filluar të dalë jashtë kontrollit. Me këtë rast është kërkuar ndihma dhe angazhimi i FSK-së, Shtabit të emergjencave, KFOR-it dhe institucionet tjera relevante. Për rastin është informuar edhe Policia e Kosovës të cilët edhe kanë qenë në vendin e ngjarjes”, ka njoftuar Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë rast DAPK “Sharri” ka bërë apel te banorët e kësaj zone dhe posaçërisht te vizitorët, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parkut.

“Ju lutemi për kujdes ku për çdo rast të zjarrit të lajmëroni: Zjarrfikësit në numrin 193; Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192; Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094”, ka njoftuar DAPK “Sharri”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit , Arbërie Nagavci…