ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

27 mars 2024 | 15:55

Në kuadër të zbatimit të Planit vjetor të auditimit 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021.

“Shitjet direkte të realizuara që nga viti 2006 (dhe në vazhdim) i takojnë natyrave të ndryshme si: objekte, toka dhe asete të luajtshme, të cilat gjenden në lokacione të ndryshme dhe kanë vlera të ndryshme. Ky auditim do të vlerësojë nëse procedurat e shitjes direkte të aseteve nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë realizuar në mënyrën e duhur, përkatësisht nëse AKP-ja ka qenë efikase në trajtimin e kërkesave për shitje direkte, në trajtimin dhe klasifikimin e aseteve për shitje direkte, si dhe në mënyrën se si është bërë përzgjedhja e vlerësuesve për përcaktim të vlerës së aseteve”, ka njiftuar ZKA-ja.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, rëndësinë që ka ky proces për përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve si dhe mjedisin në përgjithësi, ZKA-ja ka vlerësuar se është me interes për publikun të bëhet një vlerësim nëse procedurat lidhur me shitjet direkte janë realizuar si duhet.  AKP-ja vazhdon të përballet me kërkesa për blerje të aseteve të cilat janë apo mund të jenë në shfrytëzim të palëve të treta, dhe në këtë rast pamundësohet shitja e tyre përmes procedurës së tenderimit publik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes si dhe nëse AKP-ja ka qenë efektive në menaxhimin e shitjeve direkte, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, interesin publik si dhe ndikimin e tyre në mjedisin shoqëror dhe ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Është një vendim që do të merret në muajt e…