Zona e Nerodimës dhe veprimet e Shukri Bujës atje, sipas ZPS-së

03 qershor 2026 | 17:35

Në dosjen e saj përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria argumentimin për Zonën e Nerodimës e nis me Shukri Bujën. Ndërsa, gjatë elaborimeve ajo pretendon se para dhe pas emërimit të tij si komandant zone, Buja mori pjesë në kryerjen e krimeve.

Krejt në fillim, Prokuroria thotë se Shukri Buja i njohur me nofkat “Kushtrimi”, “Gazetari” dhe “Sokoli”, qëndroi disa ditë në Drenicë, ku u takua me Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Ramiz Lladrovcin dhe Fatmir Limajn për të diskutuar organizimin e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prokuroria pretendon se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, të përcjellë nga Hashim Thaçi, Buja u angazhua në organizimin e njësive të UÇK-së në Lipjan dhe Shtime. Në të njëjtën periudhë, ai thuhet se ndihmoi Imri Ilazin në organizimin e forcave në Ferizaj, ndërsa Agim Bajrami me nofkën “Zefi” ishte përgjegjës për organizimin e UÇK-së në Kaçanik.

Për Bujën, Prokuroria pretendon se përveç kontakteve që mbante, ai më urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, koordinoi edhe transportimin e armëve nga Shqipëria në Kosovë.

Më tej, Prokuroria pretendon se pas një urdhri të Shtabit të Përgjithshëm për konsolidimin e njësive ekzistuese, Brigadat 161 nën udhëheqjen e Ahmet Kaçikut dhe 162 nën udhëheqjen e Agim Bajramit, u krijuan në Zonën Operative të Nerodimës në gusht 1998, duke arritur përfundimisht rreth 700-800 ushtarë secila.

Brigada 161 ishte përgjegjëse për zonën e Ferizajt, përfshirë fshatin Varosh. Shtabi i Përgjithshëm emëroi Ahmet KAÇIKUN si komandant brigade. KAÇIKU u zëvendësua nga Ilmi RAMUSHOLLI (i njohur si Graniti) pas vdekjes së KAÇIKUT në janar 1999. Brigada 162 vepronte në të gjithë komunën e Kaçanikut, përfshirë Ivajën (ku brigada kishte selinë në fillim të vitit 1999), Bobin, Biçecin dhe Kukajin. Pas vdekjes së Agim BAJRAMIT më 10 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së emëroi Qamil ILAZIN (i njohur si Bardhi) si komandant brigade. Hajrush KURTAJ ishte zëvendëskomandanti i tij, ndërsa Ejup RUNJEVA (i njohur si Era) ishte gjithashtu anëtar i komandës së brigadës. Pas vdekjes së ILAZIT në maj 1999, KURTAJ veproi si komandant brigade me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm. Xhabir ELEZI (i njohur si Sharri) komandonte njësinë e Policisë Ushtarake brenda Brigadës 162, ndërsa Jenuz SHURDHANI ishte ndihmëskomandant për çështjet e sigurisë; të dy raportonin te komandanti i brigadës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, Shukri Buja mbante kontakte të rregullta me drejtuesit e Brigadës 161 dhe Brigadës 162, të cilëve u jepte urdhra dhe prej të cilëve merrte raporte të vazhdueshme për çështje operative. Komandantët e brigadave lëshonin urdhra me shkrim për komandantët e batalioneve, veçanërisht për logjistikën dhe organizimin e njësive.

Brenda Zonës Operative të Nerodimës, thuhet se ushtarët pajiseshin me letërnjoftime dhe duhej të merrnin leje për udhëtime. Njësitë e zonës bashkëpunonin me zona të tjera operative, ndërsa batalionet monitoronin personat që hynin dhe dilnin nga territori i tyre.

Deri në vjeshtën e vitit 1998, Prokuroria thotë se Imri Ilazi ishte emëruar zëvendëskomandant i Zonës Operative të Nerodimës. Ndërsa, në shtabin e zonës bënin pjesë edhe Ekrem Matoshi si përgjegjës për komunikimet, Ruzhdi Jashari si përgjegjës për marrëdhëniet me civilët dhe më vonë zëdhënës, Fehmi Mujota si Shef i sektorit të moralit, Sami Hajrullahu si shef i personelit dhe më vonë i zyrës juridike, Naim Imeri i cili më vonë mori drejtimin e zyrës juridike dhe Fehmi Hajrullahu si shef i sektorit të Logjistikës.

Tutje, thuhet se Zona Operative e Nerodimës kishte njësinë e saj speciale, ndërsa në territorin e saj vepronte edhe njësia speciale e Shtabit të Përgjithshëm, e njohur si “Guri”.

Ndërsa, Ilmi Reçica pretendohet se drejtonte inteligjencën dhe kundërinteligjencën e zonës, ndërsa Isak Musliu i njohur si Qerqizi ishte komandant i Policisë Ushtarake të Zonës së Nerodimës. Të dy thuhet se i raportonin Shukri Bujës.

Shtabi i Përgjithshëm drejtonte strategjinë ushtarake të zonës dhe, sipas Prokurorisë, Fatmir Limaj si drejtues i Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, jepte udhëzime për funksionimin e Policisë Ushtarake dhe kompetencat e saj për arrestime.

Gjithashtu, thuhet se një komision ku merrnin pjesë Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj përcaktoi kufirin ndërmjet Zonës Operative të Nerodimës dhe Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa Shukri Buja mori urdhra për respektimin e marrëveshjeve të armëpushimit.

Tutje, thuhet se komunikimet në zonë zhvilloheshin me kode të posaçme, sipas udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm si dhe prsoneli i komunikimeve trajnohej nga njerëz të caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

Veç kësaj, pretendohet se në janar 1999, Rexhep Selimi dhe një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm vizituan Zonën Operative të Nerodimës, inspektuan disa njësi, përfshirë Policinë Ushtarake, dhe morën pjesë në ceremoninë e betimit të ushtarëve të Brigadës 161. Gjatë kësaj vizite, Buja thuhet se paraqiti një raport të detajuar mbi gjendjen në zonë, ku u diskutuan puna e Policisë Ushtarake, arrestimet, aktivitetet e inteligjencës dhe çështjet e sigurisë.

Kush nga Zona e Nerodimes pretendohet se u përfshi në krime?

Prokuroria pretendon se gjatë verës së vitit 1998, si para ashtu edhe pas emërimit të tij si komandant i Zonës Operative të Nerodimës, Shukri Buja mori pjesë në arrestimin e personave të ndaluar në qendrën e ndalimit në Llapushnik e më pas në Krojmir ku mori në pyetje një grup personat të cilët i thanë se ishin ndaluar në Llapushnik

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se Buja keqtrajtoi një individ në malet e Berishës afër Kleçkës.

Për Isak Musliun e njohur si Qerqizi, Prokuroria thotë ishte i përfshirë në krime në fund të pranverës dhe gjatë verës së 1998-ës. Për atë, Prokuroria thotë se më vonë u bë komandant i Policisë Ushtarake në këtë zonë.

Prokuroria thotë se Musliu ishte komandanti përgjegjës për qendrën e ndalimit në Llapushnik në të cilën ishin të ndaluar deri në 100 persona.

MUSLIU ishte gjithashtu i përfshirë në ndalime dhe keqtrajtime në lokacione të tjera gjatë së njëjtës periudhë. Për shembull, MUSLIU kërcënoi, keqtrajtoi dhe urdhëroi ndalimin e zyrtarit të LDK-së [REDAKTUAR]. Disa ditë më parë, anëtarë të UÇK-së kishin mbajtur një takim në [REDAKTUAR], ku u kishin thënë fshatarëve të ndalonin mbështetjen e LDK-së dhe në vend të saj të luftonin për UÇK-në – të paktën dy prej fshatarëve në këtë takim [REDAKTUAR] u rrëmbyen dhe u dërguan në [REDAKTUAR]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Shtabi i Zonës fillimisht kishte selinë në Mollopolc, para se të zhvendosej në Petrovë dhe më pas në Ferizaj në mesin e qershorit 1999. Ndërsa, Jezerci thotë se ishte një tjetër lokacion kyç brenda Zonës Operative të Nerodimës e që aty mbaheshin gjithashtu të ndaluar serbë në selinë e UÇK-së.

Kurse për Shukri Bujën, përmendet se gjoja në fund të shkurtit të ’99-ës bëri jehonë një intervistë e tij për media e dhënë në tetor të 1998-ës, e që përmes saj shenjëstronte kundërshtarët- në veçanti anëtarët e LDK-së dhe FARK-ut.

Ndërsa, kah mesi i shkurtit të ’99-ës, Prokuroria pretendon se anëtarë të UÇK-së, të veshur me rroba të zeza, rrëmbyen nëntë shqiptarë të Kosovës gjatë një funerali për viktimat e masakrës së Reçakut dhe i ndaluan në Petrovë.

Sipas Prokurorisë, disa prej tyre u keqtrajtuan dhe u thanë se ishin ndaluar sepse shoqëroheshin me serbë ose ishin të afërm të policëve serbë. Ndërsa, pretendohet se Shukri Buja refuzoi në mënyrë aktive kërkesat e ndërkombëtarëve për të vizituar personat e mbajtur në ndalim, duke deklaruar se ata po mbanin vetëm shqiptarë dhe se ai nuk shihte ndonjë nevojë që “personel i jashtëm” të kontrollonte të ndaluarit.

Tutje, thuhet se një person me kodin W02172 bisedoi me një ushtar të UÇK-së, i cili i tha se ata zakonisht i dërgonin të burgosurit serbë në Petrovë, por nuk i mbanin gjallë për shumë kohë.

Në një rast tjetër, thuhet se në mars të ’99-ës, Qamil Ilazi urdhëroi Januz Shudhanin që të merrte në pytje të ndaluarit që mbaheshin në Ivajë. Këta të ndaluar, sipas Prokurorisë, keqtrajtoheshin nga Ejup Runjeva dhe anëtarë të tjerë të Brigadës 162.

“Më 18 mars 1999, OSBE-ja pyeti komandantin e Brigadës 162 lidhur me personat e arrestuar nga UÇK-ja, dhe përgjigjja ishte, ndër të tjera, se çështje të tilla trajtoheshin nga Policia Ushtarake”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se që nga fillimi i prillit 1999, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, ishte vendosur përkohësisht në disa lokacione brenda Zonës Operative të Nerodimës, përfshirë Petrovën. Në këtë periudhë, thuhet se Shukri Buja mori pjesë në një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm në Petrovë, ku ishin të pranishëm edhe Rexhep Selimi, Sylejman Selimi dhe Ramë Buja, dhe ku u diskutua Operacioni Shigjeta. Megjithëse ishte komandant i Zonës së Nerodimës, Buja nuk kishte të drejtë të fliste apo të votonte në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm.

Thuhet se Buja ishte gjithashtu në dijeni të takimeve të tjera të Shtabit të Përgjithshëm në Jezerc, pasi si komandant zone ishte përgjegjës për sigurinë e tyre. Veç tjerash përmendet se gjatë kësaj kohe, Hashim Thaçi vizitoi pjesë të ndryshme të Zonës së Nerodimës dhe inspektoi operacionet ushtarake.

Po ashtu, në dosje përmendet se në fund të prillit 1999, Komanda e Zonës Operative të Nerodimës publikoi një deklaratë për media ku hodhi poshtë qëndrimet e Bujar Bukoshit dhe Ibrahim Rugovës, duke argumentuar se ato nuk përfaqësonin Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Thuhet se në deklaratë, Rugova akuzohej për bashkëpunim me serbët dhe theksohej se UÇK-ja ishte e vetmja forcë politike dhe ushtarake në Kosovë.

Krahas kësaj, sa i përket organizimit thuhet se gjatë prillit dhe majit 1999, në zbatim të një urdhri të Shtabit të Përgjithshëm dhe Qeverisë së Përkohshme për zgjerimin e forcave, në Zonën Operative të Nerodimës u krijuan dy brigada të reja. Brigada 164 u bë funksionale, ndërsa Brigada 163 nuk arriti të bëhej operative gjatë luftës.

Pas tërheqjes së forcave serbe, në mesin e qershorit 1999, thuhet se Buja urdhëroi Brigadat 161 dhe 162 të hynin në qytetet e Zonës së Nerodimës që ende nuk ishin nën kontrollin e UÇK-së. Në këtë periudhë, pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë komandantin e Policisë Ushtarake Muhamet Malokun (Meti), u vendosën në një kompleks ushtarak në fshatin Balaj. Sipas pretendimeve të aktakuzës, ata ndaluan dhe keqtrajtuan civilë serbë në zonat përreth, përfshirë Nerodimen e Ulët. Në atë kohë, Shukri Buja dhe Komanda e Zonës kishin selinë në Ferizaj.

Pas përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për demilitarizimin e UÇK-së, thuhet se Buja vazhdoi të ishte komandant i Zonës Operative të Nerodimës. Ai mori pjesë në mbledhjet e Komisionit të Përbashkët për Zbatim (JIC) me KFOR-in, përpara se të kalonte në një pozitë drejtuese në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), sipas Prokurorisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kategori e re ekranesh që kombinon mobilitetin, funksionet inteligjente…