Zona ekonomike për joshjen e investitorëve amerikanë

27 janar 2019 | 13:28

Përgatitjet për vënien në funksion të zonës ekonomike amerikane në Kosovë janë duke vazhduar, kanë bërë me dije përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Lehtësirat ekonomike dhe infrastruktura që do të ketë kjo zonë ekonomike konsiderohet se do të tërheq investime amerikane në vend.

Në qershor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pati miratuar formimin e Zonës së veçantë ekonomike amerikane, e cila ishte vendosur të jetë në Komunën e Gjakovës.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se janë duke punuar në vënien sa me të shpejtë në funksion të zonës ekonomike amerikane.

Infrastruktura për këtë zonë ekonomike amerikane, shton Shatri, është në përgatitje e sipër.

“Janë duke u bërë angazhime për funksionalizmin e zonës ekonomike amerikane. Sa i përket qeverisë janë duke u bërë diskutime që autostrada e re ajo e Dukagjinit t’i mundësojë qasje zonës ekonomike amerikane në këtë rrugë. Ministria e Infrastrukturës e ka marrë parasysh si obligim që t’i mundësojë qasje të përshtatshme në autostradë zonës ekonomike amerikane”, ka thënë Shatri.

Autostrada e re që pritet të lidhë qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, është paralajmëruar se do të nisë së ndërtuari gjatë këtij viti. Ajo llogaritet të jetë ndër autostradat më të gjata në territorin e Kosovës, me 91 kilometra.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kjo zonë ekonomike amerikane në Kosovë e vetmja e këtij lloji në rajon, pritet të tërheq investitorë serioz amerikanë të cilat do të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

“Kemi bërë një dokument më rekomandime tona sa i përket lehtësira tjera që duhet të ofrohen brenda zonës ekonomike amerikane, mënyrës së zhvillimit të saj dhe ajo çka është më e rëndësishmja është mënyra e administrimi të saj në të ardhmen, pasi që kjo është çështje thelbësore dhe e rëndësishme e zonës. Këto ja kemi dërgua dërguar Qeverisë”.

“Lehtësirat që ne i kemi rekomanduar qeverisë janë përtej lehtësirave që parashihen në ligje, janë lirimet për tatimet e ndryshme të cilat e tejkalojnë periudhën që ofrohen me legjislacionin aktual tatimor, pastaj lehtësira të tjera sa i përket tatimit në të ardhura personale që po ashtu tejkalon atë që ofrohet në legjislacionin tatimor. Sa i përket zhvillimit kemi dhënë rekomandime konkrete si duhet të zhvillohet zona ekonomike dhe po ashtu kemi dhënë edhe detaje teknike si p.sh organizimi i transportit publik për punonjësit dhe lehtësira të tjera”, ka thënë Zeka.

Zona ekonomike amerikane në Kosovë, ka thënë Zeka tani më vetëm iu është prezantuar një numri të konsiderueshëm të bizneseve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një takim më bizneset amerikane, anëtare të një asociacioni të madh të bizneseve kam prezantuar rëndësinë e zonës dhe kjo ka ngjallur interesim nga ana e kompanive amerikane, por zona ekonomike duhet të vazhdojë duhet të shohim hapa konkret në jetësimin e saj në mënyrë që investitorët që kanë ndonjë interesim të shohin se ajo realisht po ndodh”, ka thënë Zeka.

Investitorët amerikanë dhe investitorët tjerë ndërkombëtarë në vazhdimësi ishte theksuar se përballen me shumë burokraci në komunat e Kosovës.

Investimet e huaja direkte në Kosovë nga viti në vit kanë shënuar rënie. Derisa në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja ishte në 440 milionë euro, në vitet e fundit vlera e investimeve të huaja mesatarisht arrin vlerën e rreth 250 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në varrezat e Arbërisë në kryeqytet, sot i është dhënë…