Zulfaj pret ambasadorin francez Guérot, në fokus agjenda evropiane dhe statusi kandidat për Kosovën
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, në një takim të fokusuar në agjendën evropiane të Kosovës.
Ambasadori Guérot e uroi Zulfajn për pozitën e re dhe shprehu mbështetjen për procesin e reformave.
Zbatimi i Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes dhe prioritetet e qeverisë drejt anëtarësimit në BE ishin temë e diskutimit.
Zulfaj theksoi se prioritet i qeverisë është zyrtarizimi i statusit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, të cilat janë në funksion të zhvillimit ekonomik, avancimit demokratik dhe mirëqenies së qytetarëve.
Statusi kandidat dhe hapja e negociatave për Kosovën sigurojnë kushte dhe mundësi të barabarta drejt avancimit per anetaresim ne BE.
Në takim u bisedua edhe për tema aktuale me interes të përbashkët.



