Zuzana Çaputova bëhet presidentja e parë grua e Sllovakisë

31 mars 2019 | 11:53

Avokatja liberale dhe kritike e Qeverisë, Zuzana Çaputova ka mposhtur kundërkandidatin e saj me një diferencë të gjerë, për t’u bërë presidentja e parë grua e Sllovakisë.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Çaputova ka fituar 58,4 për qind të votave në raundin e balotazhit. 

Kundërkandidati i saj, Marosh Sefçoviq, një kandidat i pavarur, por që ka gëzuar mbështetjen e partisë në pushtet, Partia Social-Demokrate, ka fituar 41,6 për qind të votave.

Sefçoviq, nënkryetar i Komisionit Evropian dhe ish-anëtar i Partisë Komuniste, pranoi humbjen pak para mesnatës më 30 mars. 

Ai gjithashtu konsiderohet si pro-evropian, por gjatë fushatës kishte thënë se Sllovakia duhet të mbajë për vete disa kompetenca vendimmarrëse.

Çaputova kishte fituar raundin e parë të votimeve, që u mbajtën dy javë më parë, duke arritur të marrë 40 për qind të votave. Sefçoviq, në këtë raund kishte fituar mbi 18 për qind të votave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"U mbushën 74 vjet nga masakra e Tivarit, e planifikuar…