Zvarritja rrit sanksionet

10 shtator 2023 | 15:10

Agron Hoti 

Ndalesa që së fundmi iu bë njësive speciale të Kosovës nga Shefi i NATO-s që të mos shkojnë më në veri të Kosovës pa koordinim me NATO, përbën sanksionin e radhës që pushteti aktual po ia dhuron Kosovës. Ka harruar si duket pushteti aktual kur pati shkuar deri atje sa ta akuzonte ish-Kryetarin Thaçi edhe me padi në gjykatë që ai bashkë me NATO-n kishte pranuar mosdërgimin e FSK-së në veri, thua ti se NATO na ishte armiku i Kosovës e jo ruajtësi i sovranitetit edhe sot. E tash mu para botës në konferencë për media Kosovës i ndalohet nga NATO edhe dërgimi i njësisë speciale në veri. Për pushtetin aktual kjo punë i bie kështu: Pështyj e bjer vetes.
Përderisa Perëndimi po na thotë t’i organizojmë sa më shpejtë zgjedhjet në katër komunat veriore për t’i hapur kështu rrugë dialogut e për ta zgjidhur sa më shpejtë problemin me Serbi, pushteti aktual përmes një Udhëzimi Administrativ, sa absurd aq edhe qesharak, po shkakton vonesa të qëllimshme për t’i ikur zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për të cilën vetë është pajtuar në Villën e ‘Agës’ Titë në Ohër.
Po harron pushteti aktual që zgjidhja e problemit të veriut ka qenë, është dhe do të ngelet thellësisht politike, asesi procedurale e ligjore. Nuk e zgjidh çështjen e veriut as policia e as FSK. Krijimi dhe konsolidimi i shteteve është proces 100% ndërkombëtar. Pa SHBA e BE nuk zgjidhet problemi i veriut. Vetëm kur deshi SHBA Shqipëria e Kosova u bënë shtete. Kurrë më parë s’ishim, bile as njiheshim në hartë. Sikur problemi i veriut të kishte qenë vetëm çështje procedurale e ligjore, Kosova qysh në zgjedhjet e para në vitin 2001 do t’i kishte zgjedhur Kryetarët shqiptarë në ato katër komuna dhe pastaj s’do të kishim më kurrfarë problemi më me Serbi. Në fakt s’do të kishim më pas kurrfarë komuna me shumicë serbe.
Por jo, qe dashur multietniciteti si kompromis kushtetues për ta shpallur pavarësinë, pavarësisht që kjo për ne s’ishte zgjidhja ideale. Vetëm mbi parimin e multietnicitetit Kosova pati filluar ta shtrinte gradualisht autoritetin në veri edhe pse me vështirësi që të gjithë i dimë. Çdo heqje dorë nga multietniciteti veriun e lë pa institucione, saktësisht siç është sot dhe është pikërisht kjo gjendje që na ka futur nën masa ndëshkimore perëndimore.
Po harron pushteti aktual në Kosovë që Serbia nuk ta njeh ligjin në veri ashtu siç s’ta njeh as shtetin në atë pjesë, prandaj t’i ka braktisur institucionet. Dhe ashtu siç s’ta njeh ligjin, s’do ta njohë as Udhëzimin Administrativ, një dokument ky absurd, i cili do të mund të shpallet edhe antikushtetues.
Nëse vetë pushteti aktual e ka pranuar publikisht që duhet përsëritur zgjedhjet në veri, pse atëherë merret me zvarritje të kota, të tipit të Udhëzimit Administrativ?! Pse s’e zgjedh rrugën më të shkurtër, atë të dorëheqjes së të ngujuarve, të cilët për fat të keq s’përfaqësojnë asgjë.
A ju kujtohet kur Kryetari i Komunës së Rahovecit pati dhënë dorëheqje për t’ua hapur menjëherë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në atë Komunë gjithnjë sipas legjislacionit në fuqi dhe ku brenda afateve ligjore qe votuar Kryetari i ri. Nëse Kryetari i Komunës së Rahovecit edhe pse ka pasur legjitimitet të plotë qytetar megjithatë për arsye personale kishte dhënë dorëheqje, pse kryetarët aktualë në veri që s’kanë kurrfarë legjitimiteti qytetar s’japin sa më shpejtë dorëheqje, kur edhe vetë pushteti e ka pranuar që ata s’kanë legjitimitet qytetar?! Baza ligjore është e qartë dhe shumë e mjaftueshme, së paku asnjë parti s’ka pasur vërejtje deri me sot.
Pushteti aktual po harron ose jo që zvarritja e zgjidhjes së problemit në veri po çon ujë vetëm në Serbi e Rusi. Derisa Serbia po fiton terren çdo ditë e më shumë në SHBA, ne po zvarrisim proceset në kundërshtim të plotë me ngutinë e Perëndimit, saktësisht siç po i konvenon nëse jo edhe projekton Serbia e Rusia. Kjo kryeneçësi e kotë e jona po na largon çdo ditë e më shumë nga Perëndimi. Fakti, që Serbia s’është sot nën sanksione të Perëndimit, kurse Kosova po, është më se tmerrues. Kush do ta kishte menduar që do të vinim në kësi derexhe, sidomos nga ky pushtet që sa kishte qenë në opozitë krahas bashkimit kombëtar kishte proklamuar qeverisje të pothuajse të përsosur, ndërkohë që tash është zhytur në korrupsion masiv më shpejtë se çdo qeveri deri me sot?!
Tash kemi ardhur në asi situata absurde ku një pjesë e pushtetit aktual publikisht e ka pranuar të ketë bërë lëshime të rënda kur s’ka arritur ta fusë në Marrëveshjen e Ohrit njohjen reciproke me Serbi. Dikush tjetër i pushtetit aktual thotë se bërja e Asociacionit pa njohje reciproke do të përbënte tradhëti kombëtare duke harruar që Asociacioni është pranuar nga vetë pushteti në Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë që izolimi ndërkombëtar i Kosovës është duke u rritur, zëra të pushtetit aktual kanë filluar të paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme, e tëra kjo për ta shpërndarë përgjegjësinë me një zgjerim koalicionit qeverisës që do të mund të pasonte pas zgjedhjeve. Por, për çfarë arsye do të duhej të shkonim në zgjedhje të parakohshme kur pushteti është komod në numra, kur s’ka opozitë të fuqishme dhe kur s’ka kurrfarë presioni qytetar?!
E nuk ka asgjë më anti-SHBA dhe anti-Perëndim sesa shkuarja tash në zgjedhje pa e zgjidhur problemin me Serbi. Shkuarja në zgjedhje do të ishte dhurata më e mirë për Serbi, sepse do ta shpëtonte atë nga presioni i SHBA-së për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit së paku edhe për një kohë. Jo zgjedhje, sepse ky pushtet është sjellë për ta zgjidhur problemin me Serbi e asesi për ta zvarritur atë. Kjo do të ishte qeveria e pestë brenda gjashtë viteve që do të binte shkaku i dialogut me Serbi, ndaj s’e kemi atë luks.
Prandaj, shkuarja në zgjedhje do të bëhej vetëm e vetëm për t’i bishtnuar zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo së paku derisa të fillojë viti 2024 që është vit elektoral në SHBA e BE, e ku më pas Kosova s’do të ishte më në rend-ditën perëndimore së paku për dy vite radhazi dhe ku zgjidhja e problemit me Serbi do të zvarritej siç më së shumti i konvenon Serbisë e më së paku Kosovës dhe vetë Perëndimit.
Nëse të gjithë kanë kohë për të humbur, Kosova s’e ka luksin ta humbasë as edhe një minutë të vetme, sepse loja po luhet në territor të Kosovës, ndaj humbëse po ngelet vetëm Kosova. Sa letra na ka ardhur prej SHBA-së në këto gjashtë apo shtatë vitet e fundit që Kosova ta ndërtojë konsensusin e brendshëm për ta zgjidhur sa më shpejtë problemin me Serbi?! E ne po bëjmë të kundërtën. Pushteti aktual vetëm sa po i fryen përçarjes dhe polarizimit duke u sjellë sikur të ishte në opozitë. E dhimbshme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit më 22 gusht 2023 e ka kthyer…