Zvarritjet paarsyeshmërisht të arsyetuara të formimit të institucioneve nga LV-ja dhe LDK-ja

05 nëntor 13:18

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dashuri pa pasion, marrëdhënie pa ereksion: Po bëhet thuaja një muaj kur zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme, përfunduan e që tani, pas numërimeve dhe rinumërimeve, ankesave dhe parashtresave, e kemi një pasqyrë më të qartë, edhe të fituesve edhe të jofituesve. Këtë mozaik të rezultateve po e mjegullon koalicioni Nisma-AKR dhe PD duke krijuar një situatë ku ata deklarojnë se e kanë kaluar pragun, ndërkohë që rezultatet preliminare, e që duhet të certifikohen nga KQZ-ja, e thonë të kundërtën: ky koalicion mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës duke marrë në thua pikërisht në këtë prag. Fitues i padiskutueshëm i këtyre zgjedhjeve është Albin Kurti, i shoqëruar nga LV-ja, pas së cilës vijnë LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe e Aleksandar Vuçiqit në Kosovë. Koalicioni parazgjedhor midis LDK-së dhe LV-së dështoi për faktin se LDK-ja konsideronte se do të jetë e pakonkurrencë në këto zgjedhje, natyrisht si fitues, prandaj nuk pranonte kurrfarë marrëveshje me LV-në, ndonëse njëra-tjetrës i shprehnin dashuri platonike, ekskluzivisht për përfitime të pushtetit dhe politike. Sondazhet para zgjedhjeve e nxirrnin LDK-në fituese me 6-7 për qind dallim prandaj, pse të bëjë koalicion parazgjedhore dhe të pranojë kushte kur, si “fitues”, ju i përcaktoni rregullat e lojës! Nuk doli të jetë ashtu dhe, pavarësisht prej trendit që nuk linte asnjë hapësirë se kush është fitues i këtyre zgjedhjeve, LDK-ja po pret certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja ndonëse e ka të qartë se sa iu përket rezultateve: “pordhi kali në derë të hanit…”, prandaj nuk po ngutet për arritjen e një marrëveshjeje që duket të jetë e pashmangshme me LV-në. Nëse LV-ja dhe LDK-ja janë deklaruar për një koalicion apo “dashuri politike”, nuk e kam të qartë pse tani vonohen për arritjen e kësaj marrëveshjeje?! Rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të ndryshojë në favor të LDK-së sikur që duket se koalicioni Nisma-AKR dhe PD nuk do të mund të përdoret nga LDK-ja si kërcënim për disiplinim të LV-së, prandaj situata është shumë e qartë. Më herët, LV-ja dhe LDK-ja kanë qenë në luftë të hapur verbale dhe fizike të cilën, disa zëra oportunistë të LDK-së, e arsyetuan se ata që kanë ushtruar dhunë ndaj LDK-së nuk janë më pjesë e LV-së, por e PSD-së! Ky arsyetim e sjellë armëpushimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm midis këtyre dy subjekteve që “duan” dhe duhet ta bëjnë koalicionin dhe, çdo zvarritje në këtë drejtim është e paarsyeshme, duke vonuar formimin e institucioneve. Këto dy subjekte politike do t’i kenë së paku 60 deputetë dhe me përkrahjen e pakicës joserbe mund të sigurojnë 70 vota, mjaftueshëm të bëjnë institucione më stabile se koalicioni paraprak. “Armiqësia” midis LV-së dhe LDK-së duhet të pushojë përkundër dallimeve të mëdha, jo vetëm programore. Në fund të fundit, këto parti kanë pasur dallime edhe para zgjedhjeve, por janë përcaktuar për një koalicion qeverisës, e që në rastin konkret duhet të vlerësohet si pozitive dhe standard i munguar, me asgjë nuk po pengohet nga opozita, PDK-ja dhe AAK-ja. Është krijuar një mit se pikërisht PDK-ja dhe AAK-ja e duan dështimin e marrëveshjes midis LV-së dhe LDK-së për të krijuar matematika të tjera qeverisëse e që mendoj se janë krejtësisht të pavërteta. Jam shumë i sigurt se në asnjë rrethanë PDK-ja nuk do të pranojë të bëhet pjesë e pushtetit sepse, me pranimin e shpejtë të rezultateve dhe deklarimin se kalon në opozitë, ka dërguar porosi të qarta se do të bëhen përpjekje për konsolidim të partisë, si opozitë konstruktive. Frika nga PDK-ja dhe AAK-ja është vetëm një arsyetim për mungesën e ereksionit qeverisës të një dashurie, pa pasion që ka qenë dhe mbetet ajo midis LV-së dhe LDK-së. LDK-ja, e mësuar se pavarësisht prej rezultateve të zgjedhjeve (nga viti 2004 kurrë nuk ka qenë fituese), gjithmonë është bërë pjesë e pushtetit duke e marrë postin e kryeministrit e që është menaxhuar nga PDK-ja. Në këtë kartë po luan edhe tani duke e injoruar faktin se Albin Kurti dhe LV-ja do ta kallin Bangladeshin dhe Nepalin e nuk do të lëshojnë pe për postin e kryeministrit. Dhe kanë plotësisht të drejtë! Të kota janë kërcënimet e Isa Mustafës se, ose do të “martohen” me LV-në, ose “virgjërinë e shkërdhyer shumë herë më parë” nuk do t’ia japin askujt tjetër, por se do të shkojnë në zgjedhje të reja apo do të kalojnë në opozitë sikur që bënte dikur Penelopa, gruaja e Odiseut, që trillonte njëqind mijë arsye për t’i refuzuar shkuesit apo hamshorët që donin t’i hipnin, jo se ishte shumë e bukur, por se ishte gruaja e Odiseut! LDK-ja, nëse nuk “martohet” me LV-në, nuk ka alternativë tjetër përveç Kadriut dhe Ramushit. Do të bëhej pjesë e një tresheje ku do të dhunohej pamëshirshëm. Është një e keqe me të cilën po përballet thuaja e gjithë LDK-ja; nuk duan ta pranojnë të vërtetën se Albin Kurti e ka fituar të drejtën e votës të bëhet kryeministër i Kosovës dhe “partneritetin” me LV-në, nuk po e marrin si përparësi dhe detyrim të përmbushjes së premtimeve elektorale, por se po e përjetojnë si një dhunë që mund të zgjasë një mandat të plotë apo një pjesë të këtij mandati. Nëse Franca dhe Gjermania e kanë tejkaluar armiqësinë shekullore duke e shndërruar në miqësi dhe bashkëpunim, nuk ka asnjë arsye që kështu të mos veprojnë LV-ja dhe LDK-ja. Kam përshtypjen se në këtë situatë LV-ja po duket më pajtuese, kurse LDK-ja po tregohet më rigjide. Së paku nëse iu referohemi zyrtarëve të lartë të këtyre dy subjekteve politike. Nëse është kjo që po duket dhe po dëgjohet, LV-ja e ka të padiskutueshëm vetëm postin e kryeministrit, kurse LDK-ja edhe këtë post po e konsideron si të negociueshëm!

Pse po ndodhë kështu: Isa Mustafa e ka menaxhuar me një saktësi mahnitëse mundësinë e ndarjes së LDK-së duke e rifaktorizuar në skenën politike. Po të mos ishin të theksuara kundërshtimet e mëdha brenda LDK-së, sot kjo parti do të ishte fituese e zgjedhjeve. Me fëmijë të lazdruar, asnjë prind nuk mund të ndihet rehat por, edhe LDK-ja, si çdo prind i papërgjegjshëm, është munduar t’i mbulojë dhe arsyetojë çarjet e thella brenda partisë. Po të mos ishte Isa Mustafa, LDK-ja do të ishte duke luftuar për vend të tretë, me AAK-në. Kjo është gjendja momentale. Çka do të bëhet në të ardhmen me LDK-në, mbetet të bëhet një analizë për të cilën unë nuk kam kapacitet të duhur. Isa Mustafa i pajtoi të gjithë, dikë në listë për deputet, tjetrin kandidat për ndonjë post kryeministror apo ministror dhe shumë premtime të tjera në këtë bingo të paskrupullt politike. Tash, Isa Mustafa, në vend se të pajtohet me gjendjen reale dhe të bëjë përpjekje që sa më parë të formohen institucionet, duke lëshuar në ajër balona provues dhe kondomë me afat të skaduar politikë, po e teston reagimin e LV-së. Vetëm në monarki janë të trashëguara postet dhe kurrsesi në shtetet dhe vendet demokratike. Duket se Kosova, ndonëse e deklaruar si Republikë Parlamentare, në sjelljet dhe veprimin praktik ka elemente të trashëgimisë jomorale dhe të pamerituar. Mbahet mend parapagimi i Enverit për post të ministrit për punë të jashtme që edhe e realizoi. Apo planifikimi i Hashim Thaçit-Shimës për postin e presidentit e që e realizoi pikërisht në sajë të përkrahjes së LDK-së dhe disa mercenarëve që fituan poste ambasadorësh apo favore në biznes. Tash Isa Mustafa po e vlerëson se posti i presidentit qenka mënyra më e mirë për përmbyllje të karrierës politike, me shumë rënie dhe ngritje. Menjëherë pas kësaj doli Luta duke thënë se si nuk na është kujtuar se ky post është i bekuar për Isa Mustafën. Kështu deklaruan edhe disa ballonë të tjerë të blerë në shitoret; gjithçka 0.1 cent aq sa është edhe vlera e tyre reale. LDK-ja duhet ta urojë LV-në dhe Albin Kurtin për fitore dhe postin e kryeministrit dhe me urgjencë të bëjnë marrëveshje politike për formim të institucioneve. Përralla janë zgjedhjet e reja dhe qëndrimi në opozitë; as nuk e do LDK-ja e as nuk e lejojnë “miqtë” ndërkombëtarë! LDK-ja, duke përdorur taktikat e vjetra, është fisnikëruar edhe me “përkrahje” të reja nga “miqtë” ndërkombëtarë. LDK-ja po luan në kartën se LV-ja, duke pasur qëndrim të fortë rreth bisedimeve me Serbinë, do të hasë në mllefin e ndërkombëtarëve ndaj Albinit e që do të ndikojë që LDK-ja të eklipsohet si bashkëpunëtor i pazëvendësueshëm. Dhe besoj se nëse luan në këtë kartë, do të digjet shumë, derisa të bëhet shkrumb e hi. Nuk ka asnjë dyshim se edhe LV-ja sikur edhe Albini do ta kalojnë me sukses procesin e zbutjes sepse janë të vetëdijshëm për pasojat prandaj, në këto rrethana të reja, LDK-ja duhet të jetë partnere e LV-së jo për ta realizuar 100-përqindëshin e bisedimeve, por për t’i bërë më të vogla dhe më të menaxhueshme dëmet që i janë bërë më herët Kosovës e që iu ka rënë në hise të nënshkruajnë Albini dhe Isaja.

Po si duhet të veprojë opozita: Ramush Haradinaj bëri mirë që hoqi dorë nga posti i deputetit sepse në këtë mënyrë do të ketë më shumë kohë të merret me partinë. Realisht AAK-ja më ka zhgënjyer me numrin e votave aq më parë që u bashkëdyzua me PSD-në. PSD-ja mbeti parti që menaxhon kryeqytetin e Kosovës, Hiroshimën, të cilën skajshmërisht e ka shëmtuar duke e shpërfytyruar hajnisht nga identiteti i saj. Po duket se ky do të jetë veprimi i fundit që e bëjnë, së bashku me oligarkët mafiozë të ndërtimit. Nuk mund të gjeni sot asnjë rrugë të Prishtinës e që nuk është e dëmtuar nga kamionët e shumtë që 24 orë bartin materiale inerte nga lokacionet që i kanë shndërruar në varreza kolektive arkitektonike. Më shumë takoni autobote me betone në rrugët e Prishtinës se vetura të Policisë së Kosovës apo ato të ndihmës së parë. Tmerr i papërshkruar, në rrugët e Prishtinës. Ramush Haradinaj dhe AAK-ja duhet ta përkrahin formimin e qeverisë dhe nuk duhet të lejojnë që Lista Serbe ta ketë votën përcaktuese për Kosovën dhe proceset politike.

Edhe Kadri Veseli veprimin më të mirë do ta bënte nëse largohet nga posti i deputetit dhe të merret me reformimin e partisë, me një kusht, nëse i mbijeton vullnetit të Samiut që po e kërkon kokën politike të Kadrisë. Nuk është aspak e pëlqyeshme që nga posti i kryetarit të Kuvendit të bëheni deputet. Këtë e pati provuar edhe Jakup Krasniqi, por se më vonë u përcaktua për postin e që e kishte, me të gjitha përfitimet që i takojnë dhe pa asnjë përgjegjësi reale. Kadri Veseli, pavarësisht se çfarë programi do të ketë koalicioni LV-LDK, pa asnjë kusht duhet ta votojë këtë qeveri, si veprim teknik, duke mos u dëgjuar fare për 100 ditët e para të qeverisjes. Pastaj duhet ta luajë rolin e opozitës, pa asnjë dyshim asaj konstruktive. PDK-ja dhe AAK-ja kanë detyrim moral të jenë konstruktive sepse edhe vetë kanë kontribuar në këtë gjendje që e kemi sot. Madje, përgjegjësia e të gjithë aktorëve, hiç këtu LV-në, është tepër e madhe për t’u tërhequr nën mriz! Edhe nëse nuk pranojnë do të detyrohen të pranojnë! E mira e së mirës është që të bashkëpunojnë në mënyrë që dëmet të jenë sa më të vogla. Jam shumë kureshtar të shoh nëse opozita do ta votojë qeverinë Kurti e që do të ishte edhe një standard demokratik, në të kundërtën do të jenë në kundërshtim me veprimet që i morën menjëherë pasi përfunduan zgjedhjet.

Sa mund të realizohen pritjet: Po të mos ishin bisedimet me Serbinë prioritet dhe kusht i caktuar nga ndërkombëtarët, gjërat do të shkonin më mirë. Kosova ka buxhet social dhe çdo ndihmë materiale nga jashtë do të kushtëzohej me dëgjueshmëri politike. Ky do të jetë pragu i Nismës për LV-në e cila do ta kushtëzojë jetëgjatësinë në skenën politike kosovare. Bisedimet me Serbinë do të jenë parakushte për të gjitha proceset e tjera, me gjasë do ta prodhojnë efektin domino. Prandaj, shumë votues edhe mund të zhgënjehen për shkak të mospërmbushjes së premtimeve elektorale. Aktualisht, në pozitën më të rëndë është Albin Kurti, i mbërthyer midis Skilës (premtimeve të dhëna dhe qëndrimit të fortë) dhe të Haridbes (kërcënimeve të ndërkombëtarëve dhe mundësisë reale për implementim të këtyre kërcënimeve). Albin Kurti do të kryqëzohet sikur Krishti në rrugën e tij të gjatë të Golgotës, deri në përfundim të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë. A do t’i mbijetojë kësaj Golgote, nuk jam aspak i sigurt! Mirëpo, në variantin më të keq, më mirë është t’ju kryqëzojnë të tjerët se ta kryqëzosh veten! Serbia, e ndihmuar nga ndërkombëtarët dhe një grusht i politikanëve kosovarë, rëndë e ka dëmtuar dhe po e dëmton Kosovën duke imponuar një marrëveshje të dëmshme. Kjo është ajo që mund t’i presë këmbët e veprimit, edhe Albinit, por edhe koalicionit qeverisës, prandaj edhe pritjet e mia janë të vogla. Nëse gaboj në këtë parashikim, do të bëhet mirë për Kosovën dhe shumë kam dëshirë të gaboj në këtë rast. Mirëpo shenjat janë ndryshe, po luhet një lojë e ndyrë, ku askush nuk do të mbetet i papërlyer; sikur ata që i kanë krijuar kushtet e shpërthimit të kanalizimit, me ndyrësira, ashtu edhe ne që për interesa të ndryshme kanalizimin e kemi pranuar si të ishte Drini i Bardhë. Gjithmonë na kanë mashtruar: bëjeni këtë do t’i keni vizat. E bëmë, por na treguan bërrylin. Nuk e kam të qartë pse ne duhet t’i besojmë presidentit Tramp në kohën kur më shumë se 60 për qind e amerikanëve nuk i besojnë. Duhet të mos i gënjejmë të tjerët pasi e kemi gënjyer veten se jemi më amerikanë se vet amerikanët. Kurrë nuk mund të bëhemi të tillë, me gjithë servilizmin antologjik mashtrues që e kemi. Sa më shumë të servilohemi aq më pak do të na besojnë. Kosova duhet të bisedojë me Serbinë vetëm duke mbrojtur dhe kërkuar respektimin e integritetit territorial, sovranitetit shtetëror brenda këtij integriteti, respektimit të fqinjësisë së mirë dhe eliminimit të pretendimeve territoriale. Këto janë parimet bazë që duhet të jenë të panegociueshme kurse, për të gjitha të tjerat duhet të bisedohet.

Deri atëherë LV-ja duhet të heqë dorë nga e “drejta e Sheriatit” duke bërë ankesë për çdo votë të panumëruar sikur edhe që Luta duhet, më shumë të dëgjojë muzikë qetësuese e jo të shpërndajë kakofoni të tipit “edhe po ma kona, edhe nuk po më lenë nana”. Formoni institucionet dhe bashkërisht ndërtojeni murin mbrojtës apo Linjën Mazhino!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka përkujtuar sot Astrit Deharin,…