Zyra e kryeministrit: Vendimi për pagat është në përputhje me ligjin

28 dhjetor 18:00

Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn nuk e ka në plan ta rishqyrtojë vendimin për rritjen e pagave të veta, dyfish nga sa ishin fillimisht.

As shqetësimet e shprehura nga qytetarët, deputetët e shoqëria civile, sikurse edhe 200 kravata që iu dërguan në rrethojat e Qeverisë nuk janë marrë në konsideratë. Në Qeveri kanë thënë se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe pas vlerësimeve ligjore.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një analizë të shkurtër ligjore për vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të pushtetit ekzekutiv të titulluar “Loja e kundërligjshme e kryeministrit me pagat”.

Ky institut ka thënë se vendimi i Qeverisë, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Siç ka sqaruar IKD-ja, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kompetentë për të vendosur lidhur me pagat e funksionarëve të lartë publik në Kosovë, veçanërisht për pozitën e kryeministrit dhe ministrave është Kuvendi i Kosovës.

Megjithëkëtë, nga Qeveria kanë thënë se ky vendim është marrë vetëm pas vlerësimeve ligjore dhe atyre kushtetuese. Derisa nuk e kanë komentuar kërkesën urgjente të IKD-së për ta anuluar vendimin.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeveria vendimet i marrin në bazë të kompetencave kushtetuese dhe pas vlerësimeve ligjore”, është thënë në përgjigjen për “Express”, nga zyra e kryeministrit.

Përveç kësaj, nga Qeveria nuk kanë treguar se në bazë të cilit ligj apo rregullore e kanë bazuar vendimin e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se do të ndjek rrugët ligjore që ta kundërshtojë këtë vendim. Deputeti i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka thënë për “Express” se do ta shqyrtojnë këtë brenda Kuvendit dhe mekanizmave që ka ky institucion.

Ditën kur kryeministri Ramush Haradinaj, ia rriti rrogën vetes nga 1500 në 2950, ka marrë reagime të shumta kritikuese. Por shefi i ekzekutivit e kishte arsyetuar këtë me përgjegjësinë e punës që e ka. Madje ai kishte thënë se ata që i kanë pagat e vogla mund edhe të korruptohen.

Por ai nuk e la me kaq, duke thënë se ia ka rritur pagën vetes ngase nuk mund të dal në publik i veshur gjithqysh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka shuar 13 mijë ueb faqe duke filluar nga…