Zyrtare, Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.
Ministri izraelit, Ashkenazi e cilësoi nënshkrimin e këtij dokumenti si moment “historik”.
“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike me Kosovën”, tha ai, teksa u adresua përmes platformës Zoom nga ministria në Jerusalem.
“Besoj se kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes platformës Zoom”, shtoi ai.
Ministri izraelit falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën që i ka dhënë Izraelit për të vendosur marrëdhënie me shtetet që deri nuk ka pasur raporte diplomatike.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën është një hap i rëndësishëm”, theksoi.
Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.
Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.
Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.
Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.
Njohja nga Izraeli është arritur me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Serbinë në Washington, më 4 shtator 2020.
“Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.



