Zyrtari i NATO-s i shkon Kurtit në zyrë, e pyet për xhandarmërinë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim, zëvendësndihmëssekretarin e përgjithshëm për partneritete në NATO, ambasadorin Kevin Hamilton.
Në njoftimin e qeverisë është bërë me dije se gjatë takimit, Kurti dhe Hamilton, kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n, sigurinë në rajon e Kosovë, si dhe, për zhvillimet politike aktuale.
“U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, ka njoftuar qeveria.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim zëvendësndihmëssekretarin e përgjithshëm për partneritete në NATO, ambasadorin Hamilton
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me zëvendësndihmëssekretarin e përgjithshëm për partneritete në NATO, ambasadorin Kevin Hamilton, në vizitën e tij të parë në vendin tonë.
Gjatë takimit biseduan për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n. Kryeministri në detyrë Kurti foli për zhvillimet në vend, përfshirë ato në fushën e teknologjisë dhe të mbrojtjes, si dhe për prodhimin e municionit në Kosovë.
Po ashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira me NATO-n, sigurinë në rajon dhe në Kosovë, si dhe zhvillimet politike aktuale.
U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim.



