Prishtina mund të kualifikohet, Drita e papërvojë për Malmon

13 korrik 2018 | 15:34

Genc Sermaxhaj ka thënë për “Epokën e re” se Prishtina nuk luajti mirë në ndeshjen e parë, por ka shanse të mira për të eliminuar CS Fola Elsch, kurse për përballjen Drita – Malmo beson se dallimi është i madh në favor të Suedisë.

Kampionia e Kosovës në Futboll, Drita dhe fituesja e Kupës, Prishtina, i kanë zhvilluar ndeshjet e radhës në garat ndërkombëtare. Drita ka pësuar humbje nga Malmo në ndeshjen e parë 0-3, kurse Prishtina i ka nxjerrë barazim CS Fola Elsch (0-0). Ish-futbollisti i këtyre dy skuadrave dhe tash analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka thënë të enjten për “Epokën e re” se skuadrat e Kosovës patën kundërshtarë të ndryshëm për nga cilësia, prandaj edhe rezultatet e arritura janë dëshmi e kësaj. “Ne gjithnjë duhet t’i vlerësojmë drejt dhe profesionalisht paraqitjet e ekipeve tona në kampionatin vendor apo në garat evropiane. Kritikat apo lëvdatat që ne bëjmë duhet të merren parasysh nga udhëheqësit e klubeve. Drita dhe Prishtina kanë pasur kundërshtare tëë ndryshëm dhe jo të nivelit të njëjtë”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj.

Ish-mesfushori me cilësi të larta në futbollin e Kosovës, duke folur për ndeshjen e zhvilluar në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në mes të Dritës dhe Malmos, ka thënë se skuadra suedeze dëshmoi se kishte përvojë më të madhe se Drita.

“Malmo tregoi se është ekip më shumë përvojë, kurse Dritës i mungoi përvoja në gara të tilla, cilësia e futbollistëve kundrejt Malmos me përvojë, futbollistë me efikasitet para portës. Ata iu lejuan hapësira futbollistëve të Dritës, më pas me tri pasime realizonin gola. Kjo bëri edhe dallimin në atë ndeshje”, ka deklaruar ai.

Sermaxhaj ka shprehur optimizëm se Prishtina në ndeshjen e dytë mund ta mposhtë skuadrën nga Luksemburgu.

“Fola është një ekip jo shumë i nivelit të lartë, por afërsisht i barabartë me Prishtinën. Në ndeshjen e dytë, Prishtina ka mundësi ta fitojë ndeshjen ndaj kësaj skuadre, por mënyra se si luajti Prishtina nuk ishte bindëse dhe kreative. Në përgjithësi ishte ndeshje e nivelit të dobët, ku të dyja ekipeve u mungonte cilësia në fazën e sulmit, në pasimet e fundit dhe konkretizimin e rasteve”, ka deklaruar Sermaxhaj.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,…