Në Brazil, gjendje e rënduar fizike dhe shpirtërore

20 maj 2020 | 08:42

Brazili e ka shënuar shifrën më të lartë ditore të viktimave të koronavirusit që nga fillimi i përhapjes, duke e shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump, që ta shqyrtojë mundësinë e ndalimit të udhëtimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe këtij vendi.

Të martën, për 24 orë, vdiqën 1 179 pacientë dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 17 971. Kjo ishte shifër rekorde, pasi shifra më e lartë ditore para kësaj ishte regjistruar më 12 maj, kur kishin vdekur 881 njerëz, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

Shifrat e reja u publikuan në kohën kur po paralajmërohet se disa qytete të mëdha të Amerikës Latine janë në rrezik që të përfshihen nga një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve. Më shumë se 85 për qind e shtretërve në repartet e kujdesit intensiv janë të zënë në Rio de Janeiro dhe Sao Paulo.

Të hënën Brazili ia zuri vendin e tretë Britanisë së Madhe në listën e shteteve me më së shumti persona të infektuar me koronavirus.

Presidenti Brazilian, Jair Bolsonaro, i cili është një aleat ideologjik i homologut amerikan, Donald Trump, është kritikuar për mënyrën e menaxhimit të situatës së pandemisë, ku është përfshirë edhe kundërshtimi i masave kufizuese, të cilat ai i cilëson si shumë të dëmshme për ekonominë.

Ndryshe, Banka Botërore të martën paralajmëroi se 60 milionë njerëz mund të preken nga varfëria ekstreme si rezultat i pandemisë dhe tha se pret tkurrje prej 5 për qind të ekonomisë globale gjatë këtij viti, me ç’rast efektet më të rënda do të jenë në shtetet më të varfra.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Instituti për Sëmundje Ngjitëse “Robert Koch” njoftoi se gjatë 24…