Ushtria Çlirimtare e Kosovës si masë e aftësive reflektive për bërje

07 dhjetor 2022 | 09:08

Prof. dr. Arben Hoxha

Hyrje

Liria nuk është aftësi; ajo është kushti i të gjitha aftësive. Si aftësi, ajo është cilësi e gjësë; si kusht i të gjitha aftësive, ajo është qenia e gjësë. Është kjo arsyeja se pse Hajdegeri në ontologjinë fundamentale të tij do të konsi­derojë se nuk është njeriu ai që e zotëron lirinë, është liria ajo që e zotëron njeriun. Liria shkon përtej kufijve të njohjes logjike dhe është kushti i saj. Luftëtari i lirisë jodomosdoshmërisht duhet t’i ketë të lexuar filozofët apo shkrimtarët që kanë shkruar për lirinë. Adem Jasharit nuk i janë dashur t’i lexojë Platonin, Homerin, Eskilin, Spinozën, Kantin, Hegelin, Sartrin, Poperin etj. si parakusht për ta materializuar aktin e vet të flijimit për liri. Pasioni i intuitës për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë rrënjëve të fijeve të barit të atdheut të kërcënuar nga shkelja e çizmes së huaj e tejkalon çdo përfytyrim të arsyeshmërisë njerëzore që i përcakton kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes. Pa këtë pasion as ideja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) nuk do të mund të ekzistonte, e aq më pak do të mund të flitej për aktualizimin e saj.

Liria, si pasion i intuitës, është përfaqësim i drejtpërdrejtshmërisë së qën­drueshmërisë që ka një person në bindjen për rolin e vet në bërjen e gjërave në botë. Ndërkaq, liria si vlerë përcaktohet nga afërsitë e vetëdijes aksiolo­gjizuese për të zgjedhur atë që është e rëndësishme në procesin e bërjes, e kjo do të thotë për kapërcimin kualitativ nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë të bërjes së ekzistencës. Historikisht vështruar, filozofia e vlerës së lirisë – siç thotë Sartri – si themel i të gjitha vlerave, është zhvi­lluar paralelisht me shfaqjen e një shqetësimi dominues për qëllimet njerë­zore në rrugën e zgjerimit të kufijve të ekzistencës së njerëzimit. Vetëm përmes vetëdijes aksiologjizuese, liria si vlerë, mund të ngrihet në një reali­tet promodial, mbi bazën e të cilit mund të kuptohet dhe të ndërtohet tërë­sia e ekzistencës njerëzore.

Në kushtet e pushtimi klasik të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, shpre­hur me terma të Hajdegerit, liria do ta zgjedhë subjektin e realizmit të vetes – UÇK-në dhe vetë ekzistenca e UÇK-së do të jetë e ndërlidhur nga përcak­timi i saj për ta zgjedhur vlerën e lirisë. Pa UÇK-në, si subjekt i lirisë, nuk ekziston vlera e lirisë. Sartri thotë se jashtë angazhimit të subjektit që i zgjedh vlerat, vlerat nuk ekzistojnë. Është subjekti UÇK ai që do ta sjellë vlerën e lirës në ekzistencë, për t’u shndërruar vetë në subjekt me vlerë. Rrjedhimisht, mund të themi se vetë ekzistenca e subjekti të UÇK-së që e ka sjellë vlerën e lirisë në ekzistencë është një vlerë që duhet të njihet nga të gjithë.

Pikëpamja aksilogjizuese utilitariste 

Pyetja që shtrohet sot është se lufta e UÇK-së nga të qenit subjekt i lirisë a ka arritur që të shndërrohet në përmbajtje të vetëdijes sonë aksiologjike, si përcaktuese e qëllimeve tona kombëtare për bërje?

Nga zgjedhja që kemi bërë për mënyrën e (ri)varrimit të dëshmorëve të UÇK-së menjëherë pas luftës; me qëndrimin tonë ndaj memorialit të Kullava të Jasharëve tash e 23 vjet, nga mënyra e satanizmit të ushtarëve të UÇK-së në mediet tona para e pas luftës; prej hartimit të Ligjit të Vetera­nëve të Luftës së UÇK-së (çështja aq shumë e përfolur e Listës së Vetera­nëve të luftës së UÇK-së është treguesi i përmasës së sëmundjes shpërfy­tyruese të marrëdhënies sonë me idenë e lirisë dhe rregullimi i Listës së saktë të Veteranëve nuk mund të arrihet asnjëherë pa shërimin moral të kësaj marrëdhënieje!); prej mënyrës së hartimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila luftën e UÇK-së nuk e përmban si premisë juridiko-politike të shte­tësisë së Kosovës dhe nga mënyra e themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, mund të konkludohet se UÇK-ja, në radhë të parë, nga shqiptarët, më pas edhe nga ndërkombëtarët, është parë si një vlerë që buron nga pikëpamja e aksiologjisë utilitariste, e cila llogarit në interesin praktik (e edhe material) tash dhe këtu, në njërën anë, brenda forcave poli­tike shqiptare në luftën për pushtet ndërsa, nga ana tjetër, në rrafshin e politikave ndërkombëtare, si vlerë për ekuilibrim forcash në shoqërinë botërore. Në të dyja rastet, më parë sesa një e mirë e dëshirueshme si qëllim, UÇK-ja do të perceptohet një e mirë e dëshirueshme si mjet.

Në qoftë se Gjyqi i Nurembergut do të jetë pasqyrim i sistemit të drej­tësisë mbi të cilën do të funksionojë rendi i ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Speciale, si pjesë e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, do ta pasqyrojë krizën e sistemit të rendit botëror në këtë fillim të mileniu­mit të ri. Në rastin e Gjykatës Speciale, përkundrejt Gjykatës së Nurem­bergut, e drejta pozitive do të mbetet pa përmbajtjen e të drejtës morale. Ndërsa Gjykata e Nurembergut do të jetë produkt i sistemit të drejtësisë, i cili do ta menaxhojë “rendin botëror” të pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Speciale do të jetë produkt i sistemit të drejtësisë ndërkombëtare në kontekstin e botës gjeopolitike të “ekuilibrit botëror”, si mishërim i raportit dinamik midis forcave kundërshtuese në një sistem të hapur. Nëse rendi është statik, ekuilibri është dinamik, thotë teoricieni i politikës Saul Cohen. Karakteri dinamik që buron nga përplasja e forcave të kundërta, për ta ruajtur ekuilibrin global, “flijon” agjentë të ndryshëm që ka në dispo­zicion (edhe përbërës të së drejtës ndërkombëtare, edhe elementë të vlerës së lirisë!) në funksion të stabilitetit, si tipar i ekuilibrit global. Në kontekstin e “rendit botëror” të pas Luftës së Dytë Botërore (dhe jo vetëm) do të ishte e pamundur të imagjinohej një “Nuremberg” kundër hebrenjve. Në kon­tekstin e “ekuilibrit botëror”, në emër të “pastrimit” të një lufte çlirimtare, me lehtësi të papërballueshme për asnjë fuqi imagjinate bëhet realitet ekzistenca e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. Gjykata e Nurembergut ishte produkt i forcave aleate fituese të Luftës së Dytë Botërore; Gjykata Speciale është produkt i nevojave për stabilitetin e ekuilibrit midis forcave të superfuqive botërore konkurruese në luftën për zgjerimin e zonave të tyre të interesit.

Sistemi i drejtësisë ndërkombëtare, i fillimit të mileniumit të tretë, do të jetë shfaqja e thelbit të parimit të ekuilibrit global. Gjykata Speciale është simptoma e mungesës së “rendit” të shoqërisë botërore. Gjykata Speciale në Hagë do të bazohet në moralin universal të të drejtave të njeriut, si një instancë juridike supernacionale me aspiratën për arritjen e një harmonie planetare duke u bazuar në aspiratat empirike të natyrës njerëzore (Jean-Jacques Wunenburger). Në rastin e Gjykatës Speciale të Hagës, universa­liteti i moralit të të drejtave të njeriut do të jetë kërcënim serioz i të drejtës së popujve për liri. Gjykata e Nurembergut me moralin e të drejtës kolek­tive, si një entitet konkret historik, do të vihet në funksion të lirisë, sigurisë dhe mirëqenies së njerëzimit. Duke u bazuar në të drejtën pozitive dhe duke e përjashtuar prej saj çfarëdo lloj mundësie implikimi të së drejtës morale në të, Gjykata Speciale në Hagë do ta trajtojë barabarësish si pushtuesin ashtu edhe të pushtuarin; si ushtruesin e gjenocidit ashtu edhe atë që ka pësuar nga gjenocidi. 

Lufta kundër vlerës së UÇK-së si luftë kundër rendit botëror 

Agresionit ushtarak rus në Krime e Ukrainë i ka paraprirë agresioni dip­lomatik rus e serb për kontestimin e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare përmes kontestimit të karakterit të drejtë të luftës së UÇK-së. Themelimi i Gjykatës Speciale nuk është çështje e testimit të qëndrueshmërisë së vlerës së UÇK-së, por testim i qëndrueshmërisë së rendit botëror, i qëndrueshmë­risë së besimit në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare, i cili shfaqet përmes trajtimit juridik të së drejtës së një lufte antikoloniale, siç ishte lufta e UÇK-së.

Themelimi i Gjykatës Speciale është finalizimi i agresionit që Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, do të bëjë, në njërën anë, mbi hapësirën e bosha­tisur të vetëdijes aksiologjizuese shqiptare për lirinë, si vlerë supreme dhe, nga ana tjetër, mbi arealin e vetëdijes aksiologjizuese utilitariste perëndi­more.

Si?

Duke përdorur hapësirat e boshatisura që ekzistojnë ndërmjet vlerës uni­versale të moralit të të drejtave të njeriut dhe vlerës “partikulare” të moralit të së drejtës kolektive të popujve për liri në sistemin e së drejtës ndërkombë­tare penale. Kontradikta midis vlerës së një kriteri abstrakt universal e jashtëkohor (të drejtat e njeriut) dhe vlerës së një kriteri konkret në histori (lirisë së popujve të veçantë), në rastin e Gjykatës Speciale do të tejkalohet përmes përqafimit të vlerës së parë duke e përjashtuar nga logjika e drej­tësisë vlerën e kriterit të dytë. Gjykata Speciale do ta bëjë një zhvendosje thelbësore të vëmendjes nga trajtimi i tërësishëm i njeriut si qenie e lirë dhe si vlerë te dimensioni i njeriut si person fizik dhe juridik. Për rrjedhojë, shprehur me terma të Toma Akuinit, kriteri i drejtësisë së sjelljes do t’i mbivendoset kriterit të drejtësisë së kauzës. Në këtë mënyrë logjika e drejtësisë do të pezullohet nga koncepti i luftës së drejtë dhe luftës së padrejtë. Për rrjedhojë Gjykata Speciale Kosovën do ta kthejë nga një çështje e historisë së dekolonizimit në çështje të të drejtave të njeriut.

Ndërsa presioni i bashkësisë ndërkombëtar kundrejt deputetëve të Kuven­dit të Kosovës për domosdoshmërinë e themelimit të Gjykatës, do të jetë tregues i krizës së vetëdijes aksiologjizuese perëndimore në kontekstin gjeopolitik të ekuilibrit global (vetëm konteksti gjeopolitik i ekuilibrit global e bën të kuptueshëm presionin që ShBA-ja do të ushtrojë mbi esta­blishmentin politik të Kosovës për ta votuar themelimin e Gjykatës Spec­iale) aprovimi i Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të jetë treguesi i kapaciteteve të ulëta të vetëdijes aksiologjike shqiptare për vetëbërje. Në të vërtetë, do të jetë tregues i aftësive të munguara kri­juese përballë qëllimit për kapërcim nga modusi i ekzistencës së mbijetesës në modusin e ekzistencës për bërje.

Prej një përmbysjeje të tillë të logjikës së të drejtës dhe drejtësisë, Serbia do të synojë ta ndërtojë narracionin e vet moral se:

– intervenimi i NATO-s ka qenë një gabim;

– se në Kosovë, si pjesë jugore e Serbisë, nuk ka pasur luftë mes ushtrisë së Serbisë dhe UÇK-së, porse aty ka ndodhur një luftë civile për pushtet midis UÇK-së terroriste dhe partive paqësore e minoriteteve etnike të pambrojtura;

– se ushtria e policia serbe kanë ndërhyrë me qëllim që ta parandalojnë dhe ta pamundësojnë këtë luftë civile, por intervenimi i NATO-s ia ka pamundësuar këtë duke marrë një vendim të gabueshëm për largimin e babës (Serbisë) nga shtëpia (Kosova) (Rezoluta 1244), në vend se të dëbo­het “fëmija problematik” (UÇK-ja);

– NATO padrejtësisht e detyroi “babën” (lexo Serbinë administrative, ushtarake e policore) të dëbohet nga shtëpia, duke e ndarë atë edhe nga “fëmijët e vet të mirë”. Ekzistenca e Gjykatës Speciale është provë e mjaftueshme që baba (Serbia) tashmë duhet të kthehet në shtëpinë e vet pranë “fëmijëve të vet të mirë” në Kosovë.

Me pak fjalë, ky është narracioni që, përmes Gjykatës Speciale, Serbia do të përpiqet ta rrisë vëllimin e argumentit për “të drejtën morale” të kthimit të saj në Kosovë. Ndërkaq, brenda Kosovës subjektet konkurrente politike, duke përfituar nga goditja që do ta marrë “krahu i luftës” prej Gjykatës Speciale, do të përpiqen të krijojnë “avantazhe morale” për rolin e tyre në historinë më të re të “çlirimit” dhe të “shtetndërtimit” të Kosovës.

Mjerim! Kaq është pika e lartësisë ku mund të arrijë steka e interesave meskine të vetëdijes tribaliste shqiptare!

 Përfundim 

Mbrojtja e vlerës së lirisë përmes instrumenteve të sistemit të drejtësisë (lokale apo ndërkombëtare) duhet të jetë shprehje e fuqisë motivuese për rritjen e jetës dhe sigurisë së ekzistencës së shoqërisë njerëzore në botë. Gjykata Speciale nuk do t’i shërbejë lirisë dhe mirëqenies së njerëzimit, sepse është mekanizëm për ruajtjen e baraspeshave të forcave mes shtetesh në një rend botëror të luhatshëm nga paqëndrueshmëria e sistemit të vet të drejtësisë. Presioni për themelimin e Gjykatës Speciale nga ndërkombë­tarët drejtuar kuvendarëve të Kosovës, është prova që vërteton se liria e një populli, në vend të rritjes së sigurisë së lirisë së njerëzimit, mund të përdoret si mjet për harmonizimin maksimalist të interesave kundërthë­nëse në kontekstin gjeopolitik të “ekuilibrit botëror”.

Për shkak se vlera e lirisë është e ndërlidhur me motivimin, sepse vetëm përmes motivimit vlera merr kuptim, Kuvendi i Kosovës, me aktin e aprovimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka vendosur standardin moral të ndarjes së vlerës nga motivimi. Me votimin pro themelimit të Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës, popujve që bëjnë lufta antikoloniale gjithandej botës, ashtu sikurse edhe pasardhësve tanë, u ka dërguar mesazhin dekurajues e antihistorik se liria në përgjithësi, dhe liria e tyre në veçanti, nuk përfaqëson ndonjë interes me rëndësi për zhvillimin dhe emancipimin e llojit njerëzor në botë; se liria nuk është çështje e vullnetit dhe e së drejtës morale të subjekteve të veçanta, por çështje nomenklaturash dhe raporte forcash.

Qëndrimi i tillë ndaj UÇK-së është tregues i mungesës së parimeve të filozofisë së vlerave dhe të vetëdijes sonë të kufizuar aksiologjike në rrugën e bërjes subjekt në histori.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Zv/presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez, është dënuar me gjashtë vite…