Tahiri: Nagip Krasniqi ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore me vlerë prej 72 milionë euro
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur për kontratat njëburimore që i ka nënshkruar drejtori i suspenduar i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili tashmë ndodhet në paraburgim.
Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ai ka treguar se Krasniqi ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore, të cilat e kapin vlerën prej 72 milion eurove.
“Për me pa punën e Nagipit e kam bërë një hulumtim të shkurtër dhe i kam nxjerr tenderët njëburimor në pesë muajt e fundit që ka nënshkruar z. Krasniqi. Pra, për pesë muaj, KEK ka nënshkruar në vlerë prej 72 milionë eurove 30 kontrata njëburimore. Pra, 30 kontrata një burime të Nagip Krasniqit, i cili sot është me te drejt në paraburgim”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka përmendur për cilat kontrata bëhet fjalë.
Sipas tij, në këto kontrata shihet abuzimi i madh që është bërë.
“E sheh abuzimin e madh të cilin e ka kryer drejtori i KEK-ut, z. Ngaip Krasniqi. Po i përmendi disa prej tyre. Me bo kontratë njëburimore me vlerë 1 milion e 730 mijë euro për furnizim me shirit transportues, kur e ofrojnë 30 kompani një gjë të tillë, kjo nuk do komet. Sepse kjo është një kontratë në të cilën vidhet dhe asgjë më shumë. Pastaj me bo kontratë 55 milionë euro për moderniizim të turbinave B1 dhe B2, me një kompani, ku se paku pesë kompani në Evropë e ofrojnë një gjë te tillë, kjo nuk do asgjë dhe shihet qartë që ka qenë një negocim dhe këtu akter të caktuar kanë përfituar”, ka thënë Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se të gjitha këto kontrata do t’i dërgon në prokurori.



