Pensionohet prof. Zejni Fejzullahu
Sot pensionohet një nga figurat më të respektuara të arsimit shqiptar në Luginën e Preshevës – profesori dhe drejtori Zejni Fejzullahu. Për plot 40 vite e 8 muaj, ai i shërbeu arsimit shqiptar me dinjitet, përgjegjësi dhe përkushtim të rrallë, duke qenë ndër ata njerëz që nuk kursyen as mundin dhe as veten për shkollën, dijen dhe gjeneratat që u edukuan nën udhëheqjen e tij.
Me prejardhje nga Tërnoci i Madh, me rrënjë të forta dhe ideale të pastra kombëtare, ai ndërtoi një rrugëtim jetësor të mbushur me punë, sakrificë dhe përkushtim ndaj arsimit. Si profesor dhe drejtor, la gjurmë të pashlyeshme te nxënësit, kolegët dhe te të gjithë ata që patën fatin të bashkëpunojnë me të. Krahas angazhimit institucional, ai dha kontribut të çmuar edhe në avancimin dhe përfaqësimin e arsimit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Te profesori Zejni Fejzullahu kemi parë se çfarë do të thotë të punosh me ndershmëri, të udhëheqësh me urtësi dhe ta mbrosh arsimin me dinjitet. Ai nuk ishte vetëm një profesionist i jashtëzakonshëm, por edhe një familjar shembullor dhe një njeri me vlera të larta njerëzore e morale – model frymëzimi për brezat që vijnë.
Pensionimi shënon fundin e një kapitulli të madh profesional, por kurrsesi fundin e respektit dhe mirënjohjes që ai ka fituar ndër vite. Emri, puna dhe kontributi i tij do të mbeten gjatë në kujtesën e secilit që e njohu dhe bashkëpunoi me të. Me respekt dhe mirënjohje të sinqertë, i urojmë shëndet, qetësi dhe shumë vite të lumtura pranë familjes. Faleminderit për gjithçka që keni dhënë për arsimin shqiptar, për familjen dhe për vendin tuaj!



