Para false në ProCredit Bank, sekuestrohen 573 euro, nis hetimi
Policia e Kosovës ka nisur hetime për një rast të dyshuar të falsifikimit të parasë, pasi në një degë të ProCredit Bank janë identifikuar qindra euro që dyshohet se janë të falsifikuara.
Rasti është raportuar më 13 korrik, rreth orës 10:30, në degën e ProCredit Bank në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në Livagjë të Graçanicës.
Sipas informatave që posedon Sinjali, një zyrtar financiar i bankës ka njoftuar Policinë pasi gjatë verifikimeve të brendshme janë identifikuar 573 euro të dyshuara si të falsifikuara.
Bëhet fjalë për kartëmonedha dhe monedha metalike euro, të cilat, sipas bankës, ishin deponuar gjatë muajve të fundit përmes bankomatëve dhe Drop Box-eve të degëve të ndryshme.
Pas kontrollit nga qendra qendrore për verifikimin e parasë, mjetet monetare janë klasifikuar si të dyshimta, çka ka bërë që rasti të raportohet tek autoritetet.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia ka sekuestruar shumën prej 573 eurosh si provë materiale, ndërsa me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikim i parasë”.
Hetimet janë në vazhdim dhe për momentin nuk ka persona të dyshuar, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar origjinën e parasë së dyshuar të falsifikuar.



