Gjykatën Kushtetuese e vizituan profesorë dhe studentë të Universitetit të Minesotas
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi, ka pritur në takim një grup profesorësh dhe studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Minesotas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasi që u shprehu mirëseardhjen, kryetari Rexhepi i njoftoi mysafirët në pika të shkurtra përkitazi me themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për rolin dhe përgjegjësitë e saj në ruajtjen e balancit të pushteteve dhe garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve në vend, si dhe për raportin e kësaj gjykate me gjykatat e niveleve të tjera.
Kryetari Rexhepi në vazhdim vuri theksin në lidhjen e veçantë që Kosova ka me shtetin federal të Minesotas, duke veçuar rolin me rëndësi të gjyqtarit dhe ish-kryetarit të Gjykatës Supreme të Minesotas, John R. Tunheim, në procesin e hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në kontributin e çmuar të Robert Carolan, po ashtu një gjyqtar nga Minesota, i cili ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar në vitet e para të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Procedura e shqyrtimit të amendamenteve kushtetuese dhe numri i kërkesave të ngjashme të parashtruara në Gjykatë ndër vite, si dhe dallimi ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe gjykatave supreme të vendeve të tjera me juridiksion kushtetues, ishin vetëm disa prej çështjeve për të cilat mysafirët amerikanë shprehën interesimin që të informohen më në detaje.



