FJALA E ALI AHMETIT NË GOSTIVAR

19 korrik 2026 | 17:13

Të dashur delegatë e delegate,
Të dashur të posazgjedhur anëtarë të kryesisë,
I nderuar Kryetar,
Organe punuese të Kuvendit të Degës së Gostivarit,
Këshilli Mbikëqyrës, dhe në veçanti dua të përgëzoj motivin e lartë të anëtarëve të Komitetit të Veteranëve të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Valdet, çdo libër i fortë ka dhe një redaktor.

Ta dini që komiteti është redaktori juaj, që ju të bëheni edhe më të mirë, edhe më të mirë, sepse pas do të keni kontribuesit më të mëdhenj të luftës dhe të paqes.

Gjithashtu, forumi i grave, forumi rinor do të kenë pas tërë Bashkimin Demokratik për Integrim, sepse nënat, gratë, motrat janë pjesë e pandarë e historisë së kombit tonë, janë pjesë e çdo zhvillimi.

Bile, në momente të caktuara më shtrenjtë e kanë paguar, po edhe kanë qenë në epiqendër të pushtuesve, dhe jo rastësisht Çubriloviqi thotë: “Vrisni gruan shqiptare sepse ajo është fajtorja kryesore.”

Të nderuar të pranishëm,
Nuk dua të flas tani sepse dakordohem me atë që tha nënkryetari, po edhe nënkryetarja, sa i takon zhvillimeve në vend, përfaqësimit të shqiptarëve.

Është një e vërtetë e madhe që ne kemi shqetësim sepse kundërshtarët e armiqtë na duan të përçarë e të dobësuar, sepse armiqtë historikisht e kanë përdorur formulën “përçaj dhe sundo”.

Më kujtohet, pas përfundimit të luftës, vinin shumë pleq te unë dhe më takonin, e më thoshin: “Ah, bre bir, ne shqiptarët trima kemi qenë nëpër lufta, po në politikë kemi humbur. Kujdes aman, mos humbni tani në politikë!

Luftën e fituat, por mos humbni në politikë.”

Ne në politikë nuk humbëm.

Mbase edhe mund të ketë vërejtje për çerek shekulli drejtim të gjitha këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur, por ama do ta rrumbullakësoja me një fjali: e gjetëm këtë vend nga asgjë, duke ua marrë shpirtin me helmeta, me kondaktë, vetëm e vetëm se kanë kërkuar flamur; duke vrarë shqiptarë vetëm e vetëm se kërkonin universitet – ne e gjetëm pa asgjë.

Po këtyre shqiptarëve tanë, që padrejtësisht…

Nuk duhet të lakmohet fotelja, sepse shtrenjtë e kemi paguar.
Ne barazinë tonë me gjak e kemi fituar.

Duhet të kujtohen ata prindër, nëna, baballarë.

Po, është vrarë 13-vjeçar në Sllupçan duke furnizuar pozicionet me armatime, përkundër vendimeve që ai s’duhet të jetë aktiv, dhe këto duhet të kujtohen dhe jo të vrapohet pas foteleve.

Po, dakord do të ishim po të kishin legjitimitet, të kishin fituar zgjedhjet.

Që ta hajë dreqi, aq merak i kanë pasur fotelet, që hallall do t’ua bënim legjitimitetin po ta kishin lëvizur bre një hap më tutje, ta kishin çuar një hap më përpara.

Kanë shkuar hapa pas, gjuhën e kanë vënë në kontestim, përfaqësimin e drejtë në kontestim, tabelat e rrugëve po hiqen, janë hequr vulat prej të gjitha institucioneve.

A ne i vendosëm kabinat për kufje në qeveri, që mbledhjet mbaheshin edhe në gjuhën shqipe, çdo dokument që lëshohej të lëshohej edhe në shqip.

Dhe tani: “Po, se e ka bërë Bashkimi Demokratik për Integrim…”

Lëre ti çfarë s’ka bërë Bashkimi Demokratik për Integrim, hajde ti çfarë bën?

Ti trego çfarë bën!

Kjo është dëshpëruese dhe kjo na ka vënë në situatë që ne t’i thërrasim dhe t’i bëjmë në një front shqiptarët.

Sepse maqedonasit – që e kanë shumë gabim, shumë gabim e kanë partitë politike maqedonase – që fushatat i ushqejnë me politika dhe fushata antishqiptare.

Gabim i jashtëzakonshëm është, duhet ditur: nëse u ka hëngër bukë para 30 vjetësh fushatat antishqiptare dhe t’u nxjerrin shpirtin me helmetë dhe kondakt, ato kohëra kanë kaluar.

Ato janë kohëra të papërsëritshme.

Shqiptarët sot janë në kohëra të tjera: nuk e ulin as dinjitetin, as identitetin, as kurrizin.

Dhe nëse dikush tenton t’i frikësojë apo t’ua përsërisë të kaluarën, gabim të madh bën, se ajo s’ndodh, dhe nuk mund të ndodhë!

Por ne jemi për paqe, jemi për stabilitet, jemi që ky vend të hapë perspektivën europiane, të anëtarësohemi në Evropë, zero probleme me fqinjët, marrëdhënie të mira ndëretnike, ekonomi të zhvilluar, dhe jo të merremi me politika të vjetruara, arkaike.

Sepse njerëzit kanë halle.

A e dini që në dyert tona po troket një ekonomi e rënduar, vështirësi të mëdha do të ketë, kriza të mëdha do të ketë në ekonomi?

Dhe të mos kesh politika të qëndrueshme dhe ekonomi të luhatshme, nuk është puna mirë.

Forco politikat e qëndrueshme të forcosh ekonominë.
Kështuqë, të gjithë ju posazgjedhurve ju uroj sukses, si Degës, Kryetarit të Degës, Kryetares së Forumit të Grave, Kryetarit të Forumit të Rinisë, Degës në përgjithësi, Komitetit të Veteranëve, Kryetarit të Kuvendit të veteranëve.

Të jemi të gjithë së bashku, sup më sup, nuk ka forcë që mund të na mposhtë e të na fitojë sepse jemi më të mirët, më të fortët – jo në muskuj, koha e muskujve iku, e kemi lënë 24 vjet mbas, por jemi të fortë në mendje, në analizë, në vizione.

Kështuqë, gati thuajse e vetmja forcë në vend jemi, e organizuar mirë, e etabluar mirë dhe me program që di ku shkon dhe çfarë bën.

Dhe këtë e thotë pjesa dërrmuese e diplomacisë.

Një luftë, të nderuar bashkëdrejtuesit e mi, nënkryetarë, sekretarë, një luftë të fortë kemi fituar.

Miqtë, komunitetin ndërkombëtar e kemi bindur që rruga jonë është rruga më e drejtë.

Ky është sukses i jashtëzakonshëm i të gjitha takimeve që kemi pasur nga Prespa, Struga, deri në Kumanovë, me takimet që kemi bërë, me sqarimet që kemi bërë në popull.

Do të jemi në komunikim të vazhdueshëm për të gjitha zhvillimet dhe, bashkë me organet që keni zgjedhur, përgatituni për korrje në pranverë të hershme!

Gostivar, 18.07.2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Legjendari i radios së UÇK-së, folësi historik Nusret…