Hykmete Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë
Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila prej pesë ditësh është përfshirë nga zjarri.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Bajrami njoftoi se kallëzimi penal i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke kërkuar hetim për gjendjen alarmante në deponinë rajonale.
Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me zjarrin aktual, por me keqmenaxhimin e deponisë për më shumë se një dekadë, pasi mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare, duke shkaktuar ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave.
Postimi i plotë i saj:
Kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës, në Pejë
Sot, përmes postës elektronike, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam dorëzuar kallëzim penal Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës.
Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Por rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontigjenti italian i KFOR-t, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie. Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat, ndërsa sot, për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përmes këtij kallëzimi penal kam kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera që mund të kenë pasur përgjegjësi.
Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të hetuar nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës.
Asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t’i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë.
E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni.
Pres që Prokuroria ta trajtojë këtë rast me prioritet, të zhvillojë hetime të plota dhe të sigurojë që çdo person apo institucion përgjegjës të përballet me përgjegjësinë që i takon sipas ligjit.
Gjithashtu pres nga institucionet përgjegjëse të ndërmerren hapa konkret në sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë.



