Andy Burnham do të bëhet sot kryeministër i Britanisë së Madhe, i shtati në dhjetë vitet e fundit
Andy Burnham do të bëhet Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar sot, pasi Keir Starmer i paraqiti zyrtarisht dorëheqjen e tij Mbretit Charles III në Pallatin Buckingham.
Burnham do të marrë detyrën pasi të premten u zgjodh si udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste në pushtet të qendrës së majtë. Ai ishte kandidati i vetëm në garë dhe mori nominimet e 379 nga 403 deputetët laburistë në Dhomën e Komunave.
Në një dorëzim formal të detyrës, Starmer do të udhëtojë nga Downing Street në Pallatin Buckingham në mëngjes dhe do ta informojë Mbretin Charles III se po jep dorëheqjen.
Menjëherë më pas, Burnham do të ftohet të formojë një qeveri, duke u bërë zyrtarisht Kryeministri i shtatë Britanik që nga viti 2016, në një ceremoni të njohur si “puthja e dorës”. Edhe pse emri vjen nga një kohë kur monarku kishte pushtet të vërtetë politik, sot mbreti i ofron zyrtarisht mandatin udhëheqësit të partisë me shumicën në Dhomën e Komunave, dhe nuk ka puthje të duarve në të vërtetë.
Sistemi parlamentar i Britanisë lejon që një parti në pushtet të ndryshojë udhëheqësin e saj, dhe për këtë arsye kryeministrin e saj, pa thirrur zgjedhje të përgjithshme. Zgjedhjet e ardhshme kombëtare nuk janë paraparë deri në vitin 2029, megjithëse Burnham mund të vendosë t’i thërrasë ato më herët.
Kryeministri i ri ka thënë se dëshiron ta bëjë politikën “më pak toksike”, të përmirësojë standardet e jetesës në të gjithë vendin dhe “të rikthejë shpresën që na mungonte të gjithëve”.
Pasi u zgjodh kryetar i partisë, ai tha se do të punonte për të ndërtuar një politikë të re.
“Vendi po e kërkon me padurim”, shtoi ai.
Vëmendja tani do të kthehet shpejt te përbërja e qeverisë së tij, veçanërisht te portofolet e financave, të punëve të jashtme dhe të brendshme. Burnham tha se ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar për emrat e kabinetit të tij, ndërsa në fjalimin e tij të parë si udhëheqës i Partisë Laburiste ai theksoi se do të ndërtonte mbi themelet e hedhura nga paraardhësi i tij.



