Gjermania paralajmëron për raste të reja spiunazhi nga Rusia
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka cilësuar si sukses arrestimin e një shtetasi ukrainas në lindje të Gjermanisë, i cili dyshohet për spiunazh në emër të Rusisë, ndërsa ka paralajmëruar se raste të tilla mund të shtohen në muajt dhe vitet e ardhshme.
“Me gjasë do të shohim raste të tilla më shpesh në muajt dhe vitet e ardhshme”, ka deklaruar Merz më 22 tetor.
Kancelari ka paralajmëruar se Gjermania po përballet me veprimtari intensive spiunazhi. “Në këtë aspekt, është sukses që sot arritëm ta zbulojmë këtë rast. Por nuk duhet të mashtrohemi: veprimtaritë e inteligjencës ruse në Gjermani vazhdojnë të jenë në nivel të lartë”, ka thënë Merz.
I dyshuari është arrestuar në landin e Brandenburgut, i cili rrethon Berlinin. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale të Gjermanisë, ai dyshohet se ka shfrytëzuar kontaktet në industrinë evropiane të mbrojtjes për të siguruar informacione të rëndësishme ushtarake.
Arrestimi vjen në një kohë kur Gjermania, një nga furnizueset kryesore të Ukrainës me ndihmë ushtarake, është në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të shtimit të aktiviteteve të sabotimit dhe spiunazhit që u atribuohen Rusisë.
Shtetasi ukrainas, i arrestuar të enjten në qarkun Oder-Spree, dyshohet se ka qenë në kontakt me një shërbim rus të inteligjencës përmes një ndërmjetësi, të paktën që nga korriku i vitit 2025.
Sipas prokurorëve, ai dyshohet se ka mbledhur informacione për prodhimin e tankeve, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe për personelin dhe instalimet ushtarake në lokacione të rëndësishme për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s. Disa nga informacionet që dyshohet se ka mbledhur ishin të qasshme publikisht, kanë bërë të ditur prokurorët në një deklaratë. Në raste të tjera, i dyshuari dyshohet se ka shënjestruar posaçërisht persona që punojnë në industrinë evropiane të mbrojtjes, me qëllim sigurimin e informacioneve të kërkuara. I dyshuari pritet të dalë para një gjykatësi të premten, i cili do të vendosë nëse ai do të mbahet në paraburgim.



