Zelensky: Nuk ka asgjë personale mes meje dhe Trumpit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk ka asgjë personale mes tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump, pas mosmarrëveshjeve të fundit mes dy liderëve lidhur me luftën në Ukrainë.
Në një intervistë për “CNN”, Zelensky ka mbajtur një ton pajtues, duke thënë se tensionet nuk kanë të bëjnë me individë të caktuar, por ka paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka ndërmend ta ndalojë luftën. “Qëndrimi im ndaj Putinit është shumë i qartë. Besoj se, nëse heqim sanksionet, do ta bëjmë atë më të fortë. Nuk është çështje personale mes meje dhe presidentit Trump; natyrisht, unë jam kundër çdo heqjeje të sanksioneve”, ka thënë Zelensky.
Zelensky ka folur gjithashtu për mundësinë e ngrirjes së vijave aktuale të frontit, me qëllim që të arrihet një armëpushim dhe palët të ulen në tryezën e bisedimeve.
Megjithatë, ai e ka bërë të qartë se dorëzimi i territoreve ukrainase që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit te Rusia është plotësisht i papranueshëm. Sipas tij, Ukraina nuk do t’i njohë kurrë territoret e pushtuara si pjesë të Rusisë.
Pas disa ditësh tensione mes Kievit dhe Uashingtonit, marrëdhëniet mes dy liderëve duket se janë qetësuar. Trump ka deklaruar gjithashtu se Elon Musk ka rikthyer qasjen në internetin satelitor “Starlink” për Ukrainën, pasi kufizimet kishin penguar forcat e armatosura ukrainase në operacionet e sulmit dhe të mbrojtjes.



