Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 25 nëntor në Bruksel
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të samitit që do të përqendrohet në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe rajonit.
Sipas njoftimit të Këshillit Evropian, samiti do të riafirmojë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Bashkimin Evropian në këtë takim do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është prioriteti ynë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, ka deklaruar Costa.
Në samit pritet të diskutohen reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zbatojnë për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit, si dhe mundësitë për integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mundësive për zbatimin e mëtejshëm të tij.
Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në një situatë gjithnjë e më komplekse gjeopolitike.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024–2029.
Takimi i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur në Mal të Zi, në qershor të vitit 2026.



