Policia e Ferizajt apelon për kujdes nga zjarret: Shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, sidomos gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e tyre.
Në apelin e saj, policia thekson se çdo zjarr, i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme të mëdha materiale dhe të dëmtojë rëndë mjedisin.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin djegien e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.
Po ashtu, është bërë e ditur se Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga neglizhenca.
Në fund, policia ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast të dyshuar të zjarrvënies ose çdo situatë që mund të paraqesë rrezik, me qëllim mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.



