Vetëm nga Brazili, Kosova importoi miliona tonë mish pule gjatë këtij viti

21 korrik 2026 | 23:37

Nëse do të organizohej një kampionat për pulën më të pranishme në Kosovë, Brazili do ta fitonte pa asnjë balotazh. Miliona kilogramë mish shpendësh kanë mbërritur në vend vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke e lënë konkurrencën shumë prapa.

Sipas të dhënave zyrtare të importeve nga Dogana e Kosovës për periudhën janar–qershor 2026, Brazili ka qenë furnizuesi kryesor i Kosovës me mish dhe nënprodukte të shpendëve. Nga ky shtet janë importuar plot 9.77 milionë kilogramë, një sasi që e vendos bindshëm në krye të listës.

Pas tij vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga Kosova ka importuar 3.25 milionë kilogramë mish shpendësh.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vendin e tretë renditet Turqia me 1.29 milionë kilogramë, ndërsa Sllovenia ka eksportuar 1.03 milionë kilogramë. Top pesëshja mbyllet me Poloninë, nga e cila janë importuar rreth 924 mijë kilogramë.

Në mesin e eksportuesve më të mëdhenj drejt Kosovës janë edhe Mbretëria e Bashkuar, me mbi 904 mijë kilogramë, Rumania me rreth 862 mijë kilogramë, Italia me mbi 503 mijë kilogramë, Greqia me rreth 484 mijë kilogramë dhe Hungaria me më shumë se 400 mijë kilogramë mish dhe nënprodukte të shpendëve.

Të dhënat janë nxjerrë nga statistikat e importeve për kodin tarifor i cili përfshin mishin dhe nënproduktet e shpendëve, të freskëta, të ftohura ose të ngrira. Ky kod mbulon kryesisht mishin e pulës, por edhe kategori të tjera të mishit të shpendëve sipas nomenklaturës doganore.

Dominimi i Brazilit në këtë kategori dëshmon varësinë e tregut kosovar nga importet e mishit të shpendëve, duke e bërë këtë shtet partnerin kryesor të Kosovës në furnizimin me këtë produkt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua 34-vjeçare nga Australia ka sjellë në jetë katër…