Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje
Një 25-vjeçar me inicialet M.P. është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy automjeteve me gurë, ndërsa ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.
Sipas policisë, ai figuron gjithashtu si i dyshuar në 10 raste të tjera penale, përfshirë një rast të vrasjes, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.
“Me datë 20.07.2026, Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë”, është thënë në njoftimin e policisë.
Organet e rendit kanë bërë të ditur se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut është arrestuar, ndonëse ka tentuar sërish të ikte.
“Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, njofton Policia.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, M.P. ka pranuar se i kishte dëmtuar automjetet.
Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.
“Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”,është thënë në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.



