Ronaldo pritet t’i japë fund karrierës me Portugalinë pas ndeshjes ndaj Uellsit
Cristiano Ronaldo raportohet se është gati të njoftojë pensionimin nga futbolli ndërkombëtar, pasi të zhvillojë edhe një ndeshje të fundit me Kombëtaren e Portugalisë, e cila pritet të jetë ndaj Uellsit më 24 shtator, në kuadër të Ligës së Kombeve, në stadiumin “José Alvalade”.
Siç raporton “Goal”, e ardhmja e tij me Portugalinë tashmë duket se ka marrë një datë konkrete, pasi ai planifikon të tërhiqet pas kësaj sfide në Lisbonë.
Ky zhvillim përkon edhe me ardhjen e trajnerit të ri të Portugalisë, Jorge Jesus, i cili është emëruar me kontratë katërvjeçare dhe ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në ekip.
“Njerëzit mund të mendojnë se trajneri i ri do të vijë dhe do të ndryshojë shumë lojtarë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk jam budalla. Për më tepër, nuk kam kohë të mjaftueshme për të afruar disa lojtarë që nuk janë ftuar këtë herë”, ka deklaruar ai për “Canal 11”.
Nëse largohet pas ndeshjes me Uellsin, Ronaldo do ta mbyllë karrierën me Portugalinë me statistika të jashtëzakonshme: 233 paraqitje dhe 146 gola, duke qenë futbollisti me më së shumti ndeshje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar.
Me Portugalinë, ai ka fituar Kampionatin Evropian në vitin 2016, si dhe dy trofe të Ligës së Kombeve të UEFA-s, në vitet 2019 dhe 2025.
41-vjeçari mbetet nën kontratë me Al Nassr deri në verën e vitit 2027. Ai ka shënuar 976 gola në karrierë dhe synon të arrijë shifrën prej 1000 golash përpara se t’i japë fund plotësisht futbollit. Pas largimit nga kombëtarja, fokusi i tij pritet të jetë vetëm te futbolli me klub.



