Kaos në Pejë nga mbeturinat, bëhet thirrje për ndërhyrje urgjente
Asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Pejës, Naim Bytyqi, ka reaguar lidhur me gjendjen e mbeturinave në qytet dhe fshatrat e kësaj komune, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Përmes një postimi në Facebook, Bytyqi ka thënë se mbeturinat janë të pranishme në shumë zona të Pejës, duke e cilësuar situatën shqetësuese për shëndetin publik.
“Qyteti i Pejës dhe fshatrat e saj janë të mbushura gjithandej me mbeturina. Ne kërkojmë një zgjidhje për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar ai.
Asamblisti i AAK-së u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin përgjegjësinë për situatën, duke theksuar se ata që nuk janë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre duhet ta pranojnë këtë.
“Kushdo që ka përgjegjësi dhe nuk është në gjendje të bëjë punën e tij, atëherë të deklarohet i dorëzuar”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë vonesa në trajtimin e problemit.
“Për shëndetin të reagojmë sot, nesër është vonë”, ka përfunduar Bytyqi.



