Gucati: Më kërcënoi, por familjen e tij e fal, drejtësinë e lashë të vendosë

24 korrik 2026 | 15:55

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se e ka falur familjen e personit që e kishte kërcënuar, ndërsa ka theksuar se çështjen ia ka lënë drejtësisë dhe se e respekton vendimin e gjykatës.

Në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Gucati ka treguar se familjarët e personit të dënuar i kanë kërkuar falje dhe, sipas tij, janë distancuar nga veprimi i tij.

“Unë e kam falur familjen e tij dhe djemtë e tij. Ata janë sjellë aq mirë me mua sa nuk kam besuar që do të silleshin kështu. Personi e ka marrë dënimin e merituar dhe unë ia kam lënë drejtësisë dhe gjykatës”, ka deklaruar Gucati.

Ai ka thënë se edhe para vendimit gjyqësor kishte deklaruar se do ta pranonte çdo vendim të drejtësisë.

“Me personin nuk kam asgjë. Ai është i dënuar me katër muaj dhe unë nuk kam asgjë me të”, është shprehur Gucati.

Duke folur për rastin, Gucati ka thënë se kërcënimi ndaj tij kishte ardhur pas disa komenteve dhe fyerjeve në rrjetet sociale, duke pretenduar se personi në fjalë e kishte kërcënuar edhe me vrasje.

“Ne jemi prej gjakut edhe prej mishit, siç thotë populli. Çdo njeriut i humb durimi, edhe mua më humbi durimi, duke parë fyerjet që m’i bëri. Ka fyer edhe të tjerët, por ky e teproi, sepse më ka shkuar disa herë në Facebook, jo vetëm një herë”, ka thënë ai.

Gucati ka treguar se familjarët e të dënuarit kanë qenë të pranishëm në seancat gjyqësore dhe i kanë kërkuar falje për veprimin e tij.

Ai ka shtuar se i vjen keq për familjen e personit të dënuar, duke thënë se ata janë ndjerë keq pas veprimit të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan…