Haxhiu për gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr: I pagoi Serbia, morën pjesë në takime ku u diskutua për bllokim të rrugëve
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pretenduar se pjesa dërrmuese e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës administrativ që kanë dhënë dorëheqje kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare nga Serbia.
Duke iu referuar, siç është shprehur ajo, “të dhënave që kam në dispozicion”, Haxhiu ka thënë se këta persona janë paguar nga Serbia që nga viti 2017 e deri më tani, përfshirë edhe periudhën kur kanë ushtruar detyrën e tyre si gjyqtarë dhe prokurorë.
“Pra, edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë e gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i treguar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se ka raste, disa prej tyre publike, kur ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë, ku, sipas saj, janë diskutuar plane dhe janë marrë vendime për bllokimin e rrugëve.



