Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026, Kosova renditet e 60-ta

24 korrik 2026 | 12:37

Singapori ka ruajtur vendin e parë në Indeksin e Pasaportave Henley për vitin 2026, duke u renditur për të dytin vit radhazi si pasaporta më e fuqishme në botë.

Sipas indeksit, qytetarët e Singaporit mund të udhëtojnë pa vizë paraprake në 192 destinacione. Në vendin e dytë renditen Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me qasje pa viza në 188 destinacione.

Suedia zë vendin e tretë me 187 destinacione, ndërsa në vendin e katërt, me nga 186 destinacione, renditen Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.

Kosova renditet në vendin e 60-të, së bashku me Kinën, me mundësi udhëtimi pa vizë në 83 destinacione. Sipas të dhënave të indeksit, Kosova ka shënuar përparim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit, duke u ngjitur 35 pozita në renditje që nga viti 2016.

Në anën tjetër, Bjellorusia renditet në vendin e 62-të, me qasje pa vizë në 78 vende.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shënuar rritjen më të madhe në dy dekadat e fundit, duke u ngjitur 60 pozita dhe duke fituar qasje në 153 destinacione më shumë. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka zbritur në vendin e gjashtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e 10-të, me qasje pa vizë në 180 destinacione, duke mbetur në të njëjtën pozitë si në vitin 2025.

Christian H. Kaelin, kryetar i kompanisë Henley & Partners, ka deklaruar se fuqia e pasaportës luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në mundësitë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ekonomike, ndërsa përfitimet nga lëvizja globale vazhdojnë të përqendrohen te shtetet me fuqi më të madhe ekonomike dhe politike. /Euronews

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar një riorganizim të kabinetit…