Drejtori i ‘Ibër-Lepencit’: Sulmi shkaktoi mbi 376 mijë euro dëme, furnizimi me ujë u ndërpre deri në pesë ditë

27 korrik 2026 | 11:08

Drejtori i Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, Ernest Kerqeli, ka deklaruar se sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok, më 29 nëntor 2024, ka shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 376 mijë eurosh, ndërsa furnizimi me ujë për ujësjellësit ishte ndërprerë për tre deri në pesë ditë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, Kerqeli, i cili në këtë rast është edhe dëshmitar, ka thënë se pas njoftimit për shpërthimin, ekipet e ndërmarrjes kishin ndërmarrë masa për sanimin e dëmit dhe për të siguruar vazhdimin e rrjedhës së ujit drejt Termocentralit “Kosova B”.

“Pas njoftimit kemi marrë informacion edhe nga Policia e Kosovës dhe të gjitha ekipet që kemi pasur në dispozicion i kemi nisur në atë pjesë. Pas një kohe të shkurtër kam mbërritur nga Gjilani me një koleg në vendngjarje dhe kemi parë që dëmi ishte jashtëzakonisht i madh. Ne, si ndërmarrje, nuk jemi ballafaquar asnjëherë me një dëm të tillë. Fatmirësisht, kemi pasur ekipe me makineri të rënda që kanë qenë duke punuar në Zubin Potok. I kemi thirrur ekipet dhe kemi filluar të mendojmë për sanimin e dëmit, në mënyrë që uji të mos ndalej në rrjedhën e poshtme të kanalit. Pasi kemi marrë leje nga policia, kemi ndërmarrë masa që në atë pjesë të dëmtuar të kanalit të vendosim një zgjidhje të përkohshme, meqenëse dëmi ka qenë i madh. Zgjidhja që kemi bërë atë ditë nuk ka qenë 100 për qind funksionale, edhe pse kemi vendosur gjashtë gypa me diametër mbi 900 milimetra, në mënyrë që uji të vazhdojë rrjedhën dhe të mos ndërpritet furnizimi për Termocentralin ‘Kosova B’”, ka deklaruar Kerqeli.

Drejtori i “Ibër-Lepencit” ka theksuar rëndësinë e kanalit për furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

“Edhe në cilësinë e drejtorit të ‘Ibër-Lepencit’, edhe në cilësinë time si inxhinier, kanali është arteria kryesore, pa të cilin Kosova nuk mund të funksionojë në aspektin energjetik dhe të furnizimit me ujë. Ky ujë, i cili vjen nga liqeni i Ujmanit dhe përfundon në pikën ku furnizohet ‘Kosova B’, është i nevojshëm për ftohjen e turbinave të termocentralit ‘Kosova B’. Me një fjalë, pa ujë, ne si Kosovë nuk mund të prodhojmë energji elektrike. Thuajse gjysma e Kosovës, mbi 500 mijë banorë, furnizohen me ujë nga kanali i ‘Ibër-Lepencit’”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se pas sulmit, ndërmarrja kishte arritur që gjatë natës ta rikthente furnizimin në 75 për qind të kapacitetit të rregullt.

“Ne kemi arritur që në natën kritike ta kthejmë furnizimin vetëm në 75 për qind të kapacitetit të rregullt. Rreth orës 02:00 kemi arritur ta funksionalizojmë zgjidhjen e parë. Pas kësaj, kjo zgjidhje nuk ka qenë funksionale për shkak të dëmit në atë pjesë, ndaj kemi vazhduar me zgjidhjen tjetër. Furnizimi për ujësjellësit ka qenë i ndërprerë për tre deri në pesë ditë, ndërsa edhe pas pesë ditësh ujësjellësit nuk kanë mundur të furnizohen me kapacitete të plota”, ka deklaruar Kerqeli.

Kerqeli ka bërë të ditur se dëmi është sanuar përmes një projekti të financuar për rehabilitimin e kanalit, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar, sipas tij, është mbi 376 mijë euro.

“Dëmin e shkaktuar e kemi sanuar nëpërmjet një projekti i cili kishte qenë paraprakisht duke u zhvilluar, i financuar përmes një kredie të marrë nga Banka Botërore për rehabilitimin e kanalit. Me këtë projekt e kemi sanuar dëmin që na është shkaktuar. Raporti është përpiluar nga kompania konsulente që kemi angazhuar për mbikëqyrje dhe i është dorëzuar edhe Bankës Botërore. Dëmi është mbi 376 mijë euro”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse i ka parë apo takuar të pandehurit, Kerqeli ka deklaruar se nuk i njeh.

Sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit” kishte ndodhur më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Pak më shumë se një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër-Lepenc”, të pandehurit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur eksploziv, rreth 20 kilogramë të llojit trinitrotoluen (TNT), në brendësi të kanalit.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni. Si pasojë, është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit “Ibër-Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376 774.70 eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është paraqitur këtë…