Begaj takon ministrin kroat, vlerëson mbështetjen për Shqipërinë dhe Kosovën
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq-Radman, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe për forcimin e partneritetit strategjik.
Gjatë takimit është vlerësuar mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.
Sipas raportimit të Tv Klan, kreu i shtetit shqiptar ka falënderuar Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit të saj integrues në të gjitha tryezat ndërkombëtare. Begaj ka marrë edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi.
Po ashtu, Begaj ka shprehur mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës, duke vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.



