LVV merr vendim: Nesër votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit
Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të votojë pro kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, për postet e nënkryetarëve të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive të caktuar për nesër në orën 10:00.
Vendimi u mor sonte gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së partisë, me qëllim — siç thuhet në njoftim, sigurimin e stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe shmangien e një pale të re zgjedhjesh të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet.
Nga partia në pushtet deklaruan se ky vendim konsiderohet një hap i vullnetit të mirë dhe se presin reflektim të njëjtë konstruktiv nga partitë opozitare gjatë procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Presim që pas konstituimit të Kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër,” theksohet në qëndrimin e kryesisë.
Në deklaratë përmendet edhe marrëveshja e pretenduar politike, duke veçuar shpresën që deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, pas zgjedhjes nënkryetar, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet Bekim Sejdiu për postin e presidentit të vendit.
Kryesia e LVV-së ka tërhequr gjithashtu një paralelizëm me zhvillimet e vitit 2025, duke rikujtuar se atëherë kishin ndryshuar katër kandidatë për kryetar Kuvendi (Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin dhe Arbërie Nagavcin) para se të zgjidhej Dimal Basha, teksa theksuan se kësaj radhe nuk do të kërkojnë ndryshimin e emrave nga PDK dhe LDK.



