Ministrja Kusari-Lila mori pjesë në punëtorinë për sigurinë dhe inovacionin në nivel kombëtar

28 korrik 2026 | 15:03

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e punëtorisë kushtuar sigurisë dhe inovacionit në nivel kombëtar, të organizuar nga National Security and Innovation Council (NSIC), pjesë e RIT Kosovo.

Në hapjen e aktivitetit ishin të pranishëm edhe ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, presidentja e zgjedhur e RIT Kosovo, prof. Albina Balidemaj, udhëheqësi i NSIC-së, Xhavit Gashi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive shtetërore.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kusari-Lila theksoi se siguria dhe inovacioni janë dy shtylla të pandashme për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, konkurruese dhe në hap me zhvillimet bashkëkohore.

Ajo vlerësoi se diskutime të tilla ndihmojnë në identifikimin e sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë nevojën për përshtatjen e legjislacionit me zhvillimet teknologjike dhe përshpejtimin e integrimit të teknologjisë në administratën publike.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se MINTI tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për digjitalizimin e proceseve administrative për bizneset, me synim që ato të regjistrohen, certifikohen dhe mbështeten në mënyrë më të shpejtë, më efikase dhe më të sigurt.

Sipas saj, këto reforma do të kontribuojnë në nxitjen e ndërmarrësisë, inovacionit dhe rritjen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve në institucionet publike.

Ministrja falënderoi RIT Kosovo për organizimin e punëtorisë, duke theksuar se iniciativa të tilla, që bashkojnë institucionet, akademinë dhe sektorin e inovacionit, janë të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe përgatitjen e saj për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, duket se ka ndryshuar qëndrim…