Kusari-Lila: Nafta mund të lirohet në ditët në vijim, por vetëm me 1-2 cent

29 korrik 2026 | 11:18

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve të naftës në Kosovë mund të shënojnë ulje në ditët në vijim, por jo në mënyrë të ndjeshme.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Kusari-Lila ka thënë se importi i naftës ka shënuar një rënie të vogël dhe se, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë reflektim edhe në çmimet në tregun vendor.

“Tash, nëse vazhdon me të njëjtin cikël ashtu siç ka filluar dje, mund të shohim prej ditëve në vijim rënie të çmimeve, por nuk është dramatike. Domethënë, po flasim për 1 cent, 2 cent”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, importi i naftës ka shënuar një rënie të vogël në ditët e fundit, ndërsa ajo ka shprehur shpresën që ky trend të vazhdojë.

Ministrja në detyrë ka bërë të ditur se MINTI po shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për operatorët e sektorit të naftës.

Ajo ka vlerësuar se kjo masë ka ndihmuar në mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e menjëhershme të çmimeve, duke theksuar se mekanizmi i aplikuar që nga muaji prill bazohet në mesataren e importit të 10 milionë litrave të naftës, së bashku me marzhën e lejuar të fitimit.

Kusari-Lila ka shpjeguar se kjo metodë ndikon në zbutjen e lëvizjeve të menjëhershme të çmimeve. Sipas saj, kur çmimet rriten në tregjet ndërkombëtare, masa ndihmon në amortizimin e rritjes së menjëhershme në Kosovë, ndërsa në rast të uljes së çmimeve, rënia reflektohet gradualisht në tregun vendor.

Ajo ka theksuar se Kosova është importuese e derivateve dhe nuk ka prodhim apo rafineri të naftës, ndaj ndryshimet në çmimet ndërkombëtare nuk reflektohen menjëherë në tregun e brendshëm.

Sipas Kusari-Lilës, pa këtë masë çmimi i naftës në Kosovë do të mund të ishte edhe më i lartë, veçanërisht për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit të verës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas pretendimeve të…