Kaos në FIFA, Infantino u bën presion federatave: 75% e fondeve nëse thoni “PO”
Situata në FIFA po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, pas polemikave rreth projektit të presidentit Gianni Infantino për krijimin e një kompanie të re që do të menaxhojë të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera madhore.
Sipas raportimeve, FIFA u ka bërë të ditur 211 federatave kombëtare se, nëse e miratojnë projektin deri më 19 shtator, do t’u ndahen menjëherë 75 për qind e fondeve të parashikuara.
Në të kundërtën, federatat që nuk e mbështesin planin rrezikojnë të mos kenë qasje në të njëjtin nivel financimi.
Projekti i Infantinos parasheh krijimin e kompanisë “FIFA Forward Enterprise”, në të cilën një pjesë e aksioneve do t’u ofrohet investitorëve privatë.
Sipas presidentit të FIFA-s, kjo nismë do të mundësojë rritjen e ndjeshme të fondeve për zhvillimin e futbollit në mbarë botën.
Megjithatë, një numër i madh federatash, UEFA dhe figura të rëndësishme të futbollit e kanë kundërshtuar ashpër planin, duke e cilësuar si një hap të rrezikshëm drejt privatizimit të futbollit botëror dhe duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës në proces.
Afati i vendosur nga FIFA është 19 shtatori, deri kur federatat duhet të japin qëndrimin e tyre për projektin që ka shkaktuar një nga përplasjet më të mëdha politike dhe institucionale në futbollin ndërkombëtar në vitet e fundit.



