Kosova mirëpret elitën e xhudos në Kampin Ndërkombëtar
Në Pejë po zhvillohet Kampi Ndërkombëtar Stërvitor i xhudos, i cili po zgjat një javë dhe ka mbledhur sportistë nga disa vende evropiane.
Në kamp po marrin pjesë ekipi i Kosovës, si dhe xhudistë nga Ukraina, Franca, Anglia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Xhudos së Kosovës, e cila ka njoftuar se gjatë këtij kampi sportistët po zhvillojnë stërvitje intensive në kuadër të përgatitjeve për garat e ardhshme.
Kampi po zhvillohet nën udhëheqjen e kryemjeshtrit Driton Kuka, së bashku me trajnerët Fatos Tabaku, Majlinda Kelmendi, Kushtrim Gashi, Tomoe Yokoyama dhe Shuusuke Fujiwara.
Kjo ngjarje shërben si një mundësi e rëndësishme për përgatitje të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave mes xhudistëve nga vende të ndryshme.



