Torres i vendosur të qëndrojë te Barcelona
Sulmuesi spanjoll Ferran Torres është i vendosur të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona, ndërsa klubi katalanas po shqyrton mundësinë e rinovimit të kontratës së tij.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Torres shihet si një kandidat serioz për të qëndruar në skuadër, veçanërisht për shkak të mungesës së një sulmuesi rezervë në planet e klubit dhe besimit që stafi teknik ka te ai.
Barcelona pritet të zhvillojë një takim me Torresin në periudhën e ardhshme për të diskutuar mundësinë e zgjatjes së kontratës, megjithëse deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje zyrtare mes palëve.
Kontrata aktuale e sulmuesit spanjoll me Barcelonën është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Drejtuesit katalanas kanë ende kohë për të finalizuar bisedimet, ndërsa trajneri vazhdon ta konsiderojë Torresin si pjesë të rëndësishme të opsioneve sulmuese për sezonin e ri.
Ndërkohë, situata e tij po monitorohet nga afër nga Atlético Madridi dhe Paris Saint-Germaini, të cilët janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse negociatat mes Torresit dhe Barcelonës për rinovimin nuk përfundojnë me sukses.
Një tjetër faktor që mund të komplikojë bisedimet është detyrimi financiar i Barcelonës ndaj Manchester Cityt. Sipas raportimeve, klubi katalanas do t’i paguajë rreth 8 milionë euro skuadrës angleze në rast se Torres rinovon kontratën.
Pavarësisht interesimit nga klubet e tjera, Torres raportohet se dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës.



