Bytyçi: Arrestimi në Serbi për zbulimin e varrezës masive të shqiptarëve tregon mungesën e ballafaqimit me të kaluarën
Kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Ermira Bytyçi, ka reaguar pas raportimeve se në Serbi është arrestuar një person, i cili dyshohet se ka dhënë informacione që kanë ndihmuar në zbulimin e një varreze masive me shqiptarë.
Bytyçi ka vlerësuar se ky rast tregon, sipas saj, se institucionet serbe ende e trajtojnë zbulimin e së vërtetës si problem, në vend që të përballen me krimet e kryera.
“Arrestimi i një personi vetëm pse dyshohet se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive të shqiptarëve tregon se aparati shtetëror ende e trajton zbulimin e së vërtetës si problem, e jo krimin që u krye”, ka shkruar Bytyçi.
Ajo ka thënë se është naivitet të pretendohet se Serbia ka ndryshuar, duke theksuar se ballafaqimi me krimet, drejtësia dhe respekti për viktimat mbeten ende çështje të pazgjidhura.
“Mijëra familje shqiptare ende presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre. Nuk mund të ketë marrëdhënie normale dhe as besim të vërtetë me një shtet që ende nuk i hap plotësisht arkivat, nuk ofron të gjitha informacionet për personat e zhdukur me dhunë dhe nuk ballafaqohet me krimet e kryera”, ka deklaruar ajo.
Sipas Bytyçit, pa të vërtetën dhe drejtësinë, çdo marrëveshje mbetet e cunguar.
“Serbia, në raport me shqiptarët, nuk bind me fjalë, por me vepra. Deri sot, veprat flasin ndryshe”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit të saj, Bytyçi ka ironizuar ndaj atyre që, sipas saj, nxitojnë ta paraqesin Serbinë si një shtet “të moderuar”.



