Këto janë vendimet e marra në Kuvendin e LDK-së
Pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku është konfirmuat kryetari Lumir Abdixhiku, Kuvendi i partisë ka nxjerrë disa vendime, të cilat janë bërë publike sot.
Në pikën e parë, Kuvendi ka përcaktuar si orientim parësor politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale.
Një pikë tjetër për të cilën ka marrë vendim Kuvendi ka të bëjë me respektimin dhe zbatimin e vendimeve të shumicës.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin”, është thënë në deklaratën e Kuvendit të LDK-së.






