Koci: Edhe një qytetar i Kosovës i ndaluar nga autoritetet serbe
Avokati Arianit Koci deklaron se mbrëmë, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, është ndaluar nga autoritetet kufitare serbe shtetasi i Republikës së Kosovës, Mentor Mustafa (44 vjeç), nga fshati Jasenovik, Komuna e Novobërdës.
Sipas Kocit, “në momentin e ndalimit, ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën”.
Tutje, Koci shkruan:
Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.
Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate.
Menjëherë pas njoftimit, kam filluar të angazhohem për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme juridike. Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.
Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.



